Kredibiliteti i zgjedhjeve në rrezik?!

Ndërsa po ofrohet dita e zgjedhjeve të 28 dhjetorit është ngritur shqetësimi se kredibiliteti i tyre mund të jetë në rrezik. Kështu vlerësoi në një intervistë për rtv21 drejtori ekzekutiv i Grupit për Politika Ballkanike, Naim Rashiti. Sipas tij, shkak mund të jetë mungesa e organizatave kredibile ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve.
“Në zgjedhjet e shkurtit kemi pasur probleme me KQZ-në, me procesin e menaxhimit të zgjedhjeve dhe rezultateve, si dhe incidente të vogla. Kësaj here, kjo frymë jo shumë e mirë e organizimit të zgjedhjeve ka kulmuar me situatën e 28 dhjetorit, kur nuk do të ketë organizatë kredibile ndërkombëtare që do t’i vëzhgojë dhe vlerësojë zgjedhjet.”, tha Rashiti.
Ndërkohë është paralajmëruar se Këshilli i Evropës do të vëzhgojë zgjedhjet në Kosovë. Një delegacion prej 6-anëtarësh nga Asamblea Parlamentare e Këshillit të Evropës do të udhëtojë në Kosovë nga 27 deri më 29 dhjetor.
Ish-diplomati, Lutfi Bilalli, mendon se kredibiliteti i zgjedhjeve nuk mund të vihet në rrezik për shkak se Kosova është dëshmuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve ndër vite. Edhe pse e sheh me sfiduese kësaj radhe për shkak se zgjedhjet po mbahen në kohë festash.
‘’Zgjdhjet e 28 dhjetorit kanë rendësi dhe zgjojnë interesim edhe tek faktori ndërkombëtar për arsye se kanë dëshirë që të ketë stabilitet institucional në Kosovë. Mendojë se në kredibilitetin e zgjedhjeve mund të ndikojë për shkak se janë edhe festat e fundvitit dhe stafi i organizatave ndërkombëtare që shprehin interesim që t’i përcjellin zgjedhjet mund të jenë në pushime. Kosova historikisht nuk ka treguar se ka probleme të mëdha të zgjedhjeve.”, tha Bilalli për rtv21
Drejtori ekzekutiv i Grupit për Politika Ballkanike, Naim Rashiti, pret që pas zgjedhjeve dhe varësisht prej rezultateve të tyre, liderët e partive politike të mos kenë përjashtime për formimin e institucioneve. Ai thotë se mendëisa bllokuese duhet të marrë fund. Rashiti listoi edhe tri proritetet që duhet të ketë Qeveria e re në politkën e jashtme.
“Kosova, në katër vitet e ardhshme, duhet të ketë si objektiv marrjen e statusit të kandidatit në BE, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe fillimin e dialogut me NATO-n. Nevoja për bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe për rritjen e besimit nga akterët ndërkombëtarë po rritet nga dita në ditë, jo po zvogëlohet. Ndërsa krekosja politike në Kosovë, që ka ndodhur vitet e fundit, sidomos në dy vitet e fundit, e ka minuar këtë bashkëpunim ndërkombëtar pa asnjë përfitim. Nuk ka përfituar Kosova, nuk është në pozicion më të mirë as brenda e as jashtë. Është keqmenaxhim.”, u shpreh ai.
Ish-diplomati, Lutfi Bilalli, pret që partitë politike që kanë për synim prishjen e procesit zgjedhor për jetësimin e planeve të tyre partiake të mos lëshohen në aventura të tilla sepse, siç thotë, kjo do t’i lëndojë edhe më shumë raportet me aleatët.
“Prishja e rezultateve është zinxhirore dhe pastaj për faktorin ndërkombëtar do të krijohet një shije dhe hije jo e mirë.”, theksoi ai.
Ndërkohë, faktori ndërkombëtar pret që pas zgjedhjeve të formohet një Qeveri stabile me të cilën do të vazhdonin bashkëpunimin për zbatimin e planeve të përbashkëta. Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka pohuar në një për përgjigje për RTV21 se mungesa e koordinimit të veprimeve të Qeverisë së Kosovës paraqet sfidë për zbatimin e planeve dhe projekteve të përbashkëta në Kosovë./RTV21/21Media