Krejt çka dihet deri më tani për vdekjen e të riut nga Lipjani

Vdekja e një të riu në duart e policisë në orët e para të së hënës ka ngjallur shumë reagime. 27-vjeçari vdiq derisa po arrestohej nga policia, nën dyshimin se në gjendje të dehur ka sulmuar automketet dhe kalimtarët. Ngjarja ka ndodhur rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan.
Rasti fillimisht u konfirmua për portalin rtv21.tv nga policia.
“Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë,” thuhet në njoftimin e policisë. “Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion,” njoftoi policia.
Po ashtu, ai ka thënë se policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Hetimet janë në vazhdim për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje
Megjithatë, në rrjete sociale u publikuan pamje që ngjallën reagim publik duke e cilësuar aktin si dhunë nga ana e policisë, dhe që shkaktoi vdekjen e 27-vjeçarit. Edhe familjarët e viktimës, përgjegjës për vdekjen, Agon Zejnullahut, e bëjnë policinë, shkruan portali rtv21.tv
“Ne nuk kemi fakte dhe nuk guxojmë të themi direkt, në mënyrë të videos shihet si planifikim. Brenda dy-tri minutave, policët civilë dalin prej makinës dhe një grua bërtet ‘Vinë tani policia’. Nuk ka ndodhur rastësisht, ndoshta 5-6 veta, a po kupton? Na i kemi dyshimet tona, por i besojmë institucioneve të shtetit. Nëse nuk i besojmë, nuk kisha jetuar në këtë vend. Shpresojmë se ka hala njerëz të mirë. Nëse shteti nuk merr masa, ne do ta marrim rastin në dorë, me bindje të plotë,” u shpreh Alban Zejnullahu, vëllai i viktimës. Ai shprehu dyshimet se ngjarja mund të jetë e përgatitur.
“Cili u kanë qëllimi, nuk e di, por më duket e përgatitur. Aty ndërhynë një polic civil nga Ferizaji. Nuk mund të them se në Lipjan nuk mund të vijë, por nuk e di kërkush për atë që ka qëlluar gjatë kohës kur e nxjerrën prej makinës vëllain tim,” tha ai.
Ministri në detyrë i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, Agon Zejnullahu në Lipjan, do të marrë dënimin e merituar. “Pres që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe të sqarohen të gjitha rrethanat, në mënyrë që familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha gjetjet dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor, do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar. Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd, pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast,” u shpreh Sveçla.
Kurse, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po bën përpjekje maksimale që sa më shpejt të përfundojë raporti i autopsisë dhe se një preliminar s’është dorëzuar ende.
Derisa edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, në një përgjigje për portalin rtv21.tv, njoftoi se deri në këtë fazë nuk ka pranuar raportin zyrtar të autopsisë nga Mjekësia Ligjore, lidhur me rastin e viktimës A.Z.
Kurse, pesë zyrtarët policor të dyshuar për rastin janë suspenduar si dhe janë ndaluar për 48 orë./21Media