Krejt çka ndodhi sot gjatë aksionit të Policisë në Karaçevë

Dy persona janë arrestuar dhe tri objekte janë rrënuar sot në fshatin Karaçevë të Kamenicës për “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonjin e Gjilanit, Ismet Hashani për poralin rtv21.tv ka dhënë detaje lidhur me aksionin e sotëm.
Operacioni policor i cili ka filluar që në orët e hershme të mëngjesit ishte si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: Nëntëdhjetëegjashtë (96) aparate të lojërave të fatit, katër (4) shtëpiza kompjuterike, tre (3) llaptop , tre (3) monitor, dy (2) TV që janë përdorur për lojëra të fatit, një (1) pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me shtatëmbëdhjetë (17) fishekë , një (1) gjenerator si dhe 469,15 euro (të gjeturat në aparatet e lojërave të fatit). Të gjitha aparatet (96 copë) dhe një (1) gjenerator sipas procedurave të parapara iu janë dorëzuar Doganës së Kosovës”, ka thënë Hashani.
Tutje Hashani ka njoftuar se në vendngjarje në fshatin Karaçevë, Inspeksioni Komunal i Komunës së Dardanës ka asistuar Policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje në të cilat kanë qenë duke u ushtruar veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ndërsa një objekt tjetër, është mbyllur dhe shirituar nga Inspeksioni Komunal, Dardanë.
“Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim të personave tjerë si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast”, ka shtuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore.
Të arrestuarit pas intervistimit me urdhër të Prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./21Media

Back to top button