Kremlini thotë se nuk planifikon mobilizim të ri ushtarak

Kremlini ka thënë të premten se nuk është duke planifikuar mobilizim të ri për luftën në Ukrainë, teksa shtohen raportimet se studentëve po u dërgohen njoftime.

Sulmet e Rusisë në Ukrainë të nisura në shkurt të vitit të kaluar janë bllokuar në betejën në lindje.

“Nuk ka bisedime në Kremlin për ndonjë valë të re mobilizimi”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.

Peskovi ka folur pasi në raportimet e mediave ruse, është thënë se studentët janë duke pranuar njoftime për ushtri, në Moskë dhe disa qytete tjera.

“Për të qenë i sinqertë, kjo është hera e parë që dëgjoj diçka të tillë”, ka thënë Peskov.

“Çfarë njoftime? Sinqerisht, nuk e di”.

Pas dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar në shtator një “mobilizim të pjesshëm ushtarak”, me qëllim të përforcimit të ushtrisë.

Ky njëherësh ka qenë mobilizimi i parë ushtarak që ka ndodhur në Rusi, prej Luftës së Dytë Botërore.

Qindra mijëra burra janë rekrutuar, derisa dhjetëra mijëra të tjerë kanë ikur prej shtetit.

Peskovi ka thënë se është duke vazhduar puna për modernizim dhe digjitalizim të sitemit rus të rekrutimit, lidhur me “obligimin kushtetues të shtetasve rusë për të kryer shërbimin ushtarak”.

Javën e kaluar, Putin e ka nënshkruar një ligj për krijimin e një sistemi të rekrutimit, që parasheh edhe ndalesë për burrat që të largohen nga shteti, në rast se injorojnë ftesën.

Në mesin e ndëshkimeve tjera, për ata që nuk përgjigjen, është përmendur edhe pamundësia për të marrë kredi, për të regjistruar pronë, apo për të punuar si sipërmarrës.

Back to top button