Krerët e shtetit nderojnë policët e rënë në detyrë

Në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë nderuar kujtimin e policëve që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës, duke bërë homazhe pranë Lapidarit të Policëve të Rënë në Prishtinë.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, kanë përkujtuar 24 policët e rënë në detyrë, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre për vendin.
Ajo përmendi veçanërisht policët Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku, duke theksuar se ata ranë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi është më i sigurt se më parë dhe se institucionet e sigurisë kanë treguar qëndrueshmëri përballë sfidave të vazhdueshme.
“Dita e sotme përkon me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial dhe po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë pa dallim…Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Rënia e tij frymëzoi shumë policë të Kosovës që të vazhdojnë shërbimin në mbrojtje të qytetarëve”, tha ai.
Kurti përmendi edhe sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke përfshirë rastet e vrasjes së Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut, si dhe largimin e policëve serbë nga institucionet e sigurisë në vitin 2022.
Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë dëshmuar forcë dhe rezistencë gjatë viteve të fundit.
“Republika e Kosovës sot është më e sigurt se kurrë, ndërsa institucionet tona të sigurisë kanë treguar se janë të afta të përballen me çdo sfidë”, përfundoi Kurti.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?