Krerët e shtetit të Kosovës urojnë 28 nëntorin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari, Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë uruar 113-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, derisa kanë treguar edhe rëndësinë historike të katër ngjarjeve të shënuara për kombin shqiptar në këtë ditë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka cilësuar lidhjen mes Kosovës dhe Shqipërisë si të thellë dhe të pandashme, duke i quajtur të dyja shtetet “dy flamuj, por një zemër.
“Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare. Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër. Gëzuar Ditën e Flamurit! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!”, ka shkruar e para e vendit.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, në Prekaz ka thënë se Dita e Flamurit është një ditë feste dhe ditë e shenjtë për shqiptarët.
“Sot festojmë Ditën e Flamurit, një ditë jashtëzakonisht të shenjtë që i bashkon shqiptarët gjithandej, përtej çdo kufiri, përtej çdo oqeani. Sot në Prekazin e lavdishëm festojmë ditën e shenjtë kur kryetrimi ynë Gjergj Kastrioti, Skenderbeu, ngriti flamurin në Lezhë, në vitin 1443. Sot festojmë Ditën e Pavarësisë dhe ngritjen e dykrenares në Vlorë, sot festojmë daljen publike të UÇK-së, nga heroi ynë Mujë Krasniqi, gjeneralet Daut Haradinaj e Rexhep Selimi dhe gjithashtu edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari”, ka thënë Basha në një deklarim për mediat.
Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për këtë ditë ka thënë se është bërë e shenjtë për kalendarin kombëtarë, duke përmendur edhe momentin e ngritjes së flamurit më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës.
Teksa përmendi edhe datat e rëndësishme të historisë së Kosovës: ditëlindjen e Adem Jasharit dhe paraqitjen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, duke i cilësuar si momente që vulosën rrugën drejt lirisë.
Postimi i plotë:
Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.
Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”.
Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”
Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.
Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!
Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:
Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!/21Media