Krijohen kushte për punën praktike të nxënësve

 

Me qëllim të respektimit të drejtave të punëtorëve dhe krijimit të kushteve për punën praktike të nxënësve në shkollat profesionale, sot u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Bashkimit të Sindikatave të Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencë dhe Kulturës së Kosovës.

Të tria këto u zotuan se do të punojnë ngushtë në përmirësimin e kushteve të punëtorëve, që sipas tyre në shumë raste edhe po u bëhet e padrejtë.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva theksoi se janë të pakënaqur me masat e reja antiCOVID, pasi siç tha ai, kërkesat e tyre kanë qenë për zgjatje të orarit deri në orën 22:00. “Ne kemi pritur që zgjatjet do të jenë deri në 22:00, andaj apelojmë edhe një herë që të zgjatet orari, pasi diagnoza e vetme është që të lirohen të punojnë bizneset. Ne si odë kemi dërguar materialin, që nëpërmjet atij manuali dhe janë masat ekzistuese të cilat kishin me funksionuar në këtë mënyrë”, u shpreh ai.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Avni Ajdini theksoi se punëtorët janë ata të cilët po pësojnë më së shumti nga qeverisja jo e mirë. Kjo marrëveshje tha se do të shtyjë para drejtat dhe kërkesat, me qëllim të përmirësimit të kushteve të tyre. “BSPK e fitoi edhe një përkrahje edhe një krah të Odës së Turizmit, kështu që sot ndihet më e fortë, sepse ky bashkëpunim do të jetë i mirëfilltë i përbashkët, për sfidat që e kaplojnë vendin tonë, për punëtorët dhe që u bëhet shumë e padrejtë. Megjithatë, këto sfida do t’i luftojmë bashkërisht për t’i fituar qëllimet tona sindikale, qëllimet tona të Odës së Turizmit, që do të ketë një progres të veçantë dhe do ta shohin edhe të rinjtë që me të vërtetë, pa një odë të themeluar të Turizmit nuk do të kishim mundësi që të arrijmë sukses”, tha Ajdini.

Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj u shpreh se vendi ka shpresa të mëdha në sektorin e hotelerisë dhe turizmit, andaj, sipas tij duhet të ndihmohen nxënësit që vijojnë mësimet në shkollat profesionale në sektorin e hotelerisë dhe turizmit. “Ju lus të ndihmoni shkollat tona me përgatitjen e kurikulave të reja që këta nxënës tonë të jenë pikërisht si duhet të përgatitur për frontin e punës në të ardhmen në sektorin e hotelerisë dhe turizmit. Derisa nuk krijohen kushtet që ju të jeni edhe anëtar të Këshillit Ekonomik-Social, besoj që BSPK dhe SBASHK-u me anëtarët e vet do të jenë një zë i juaj”, tha ai.

Në marrëveshjen e nënshkruar thuhet se BSPK dhe SBASHK do të bashkëpunojnë ngushtë me OHTK-në për të kontribuar në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së shërbimeve në bizneset anëtare të kësaj ode.

Back to top button