Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës për administrimin e programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike. Aty u adresuan problemet e këtij programi dhe u tha se përkundër shumës milonëshe vetëm 45 përqind e tij po shfrytëzohet.

Ndërkohë, i ftuar për të raportuar në këtë komision ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, por mungoi, siç u tha për shkak të agjendës së ngarkuar.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani adresoi kritika për menaxhimin e programit për trajtim të pacientëve jashtë vendit. Ai tha se shuma totale asnjëherë nuk po shfrytëzohet në tërësi dhe trajtimi i pacientëve nuk po bëhet i barabartë.

Por këto kritika, i mohoi drejtori i Fondit të sigurimit shëndetësore, Fatmir Plakiqi. Ai para deputetëve të këtij komisioni tha se trajtimi bëhet sipas radhës. Por, thekson se rastet urgjente e kanë obligim që brenda 72 ore të dërgohet jashtë vendit.

Ndërsa, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Univeristar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi tha se janë të gatshëm për ta bërë analizën gjithëpërfshirëse për gjitha patologjitë që nuk mund të trajtohen brenda ShSKUK-së.