Kritikohet subvencionimi i policës kufitare për diasporën

Qeveria e Kosovës nisi nga e hëna subvencionimin e policave të sigurimit për automjete të mërgimtarëve, një vendim ky që u bart vit pas vit që prej 2020. Subvencionimi do të bëhet nga buxheti i Kosovës dhe arrin në 3 milionë euro. Njohësit e ekonomisë thonë se kjo nuk është mënyra e duhur për t’i përkrahur mërgimtarët dhe se ky lloj subvencionimi ka vetëm për qëllime politike
Mërgimtarët të cilët hyjnë në Kosovë me automjete që nga 1 korriku policën e sigurimit do ta kenë falas në cilëndo prej pikave kufitare në Kosovë. Këtë gjë e bëri të ditur ditë më parë kryeministri Kurti i cili tha se i mirëpresim bashkatdhetarët me krah hapur.
“Të dashur bashkatdhetarë, Si çdo verë, e përherë, Kosova ju pret me krahë t’hapur dhe zemrën plot. Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse”, ka thënë Kurti.
Një policë e sigurimit për automjete për pasagjer gjatë qëndrimit në Kosovë ka një kosto mesatare prej rreth 12 euro. Ndërkohë subvencionimi i mërgatës në këtë formë bëhet për të katërtin vit me radhë, që i bie se 12 milionë euro janë paguar nga taksat e qytetarëve të Kosovës për këtë qëllim. Ndonëse byroja e sigurimeve nuk i është përgjigjur pyetjes së RTV21 se sa i kanë kushtuar dëmshpërblimet për aksidentet e shkaktuara në trafik gjatë vitit 2023 në periudhën korrik-tetor, policia e Kosovës flet për një rritje të numrit të aksidenteve gjatë vitit 2023.
“Gjatë kësaj periudhe është vërejtur ngritje e aksidenteve në trafikun rrugor: Aksidenteve në trafikun rrugor, nga 20,792 në 23,676 aksidente, apo ngritje për 13.87%, Aksidente me fatalitet gjatë vitit të kaluar ishin 96 ku humbën jetën 106”, tha Policia në një përgjigje për rtv21.
Në lidhje me subvencionimin e diasporës përmes policave të sigurimit pati kritika deputeti i pavarur Haki Abazi.
Ai tha se buxheti i Kosovës është marrë peng nga partia në pushtet dhe po bënë politika me taksa të qytetarëve.
“Polica e Sigurimit për mërgimtarët nuk është falas, ajo paguhet nga taksat e qytetarëve dhe buxheti i Kosovës që është marrë peng nga makineria komuniste dhe po e manipulon për sadaka dhe popullizëm.
Është bërë qeveria sikur SuperGjyshja që i nxerrë paratë nga gjiri për më ju dhënë nipave e mbesave nga një peshqesh të vogël për me ndejt rehat edhe me dashtë gjyshën! Mos të harrojmë që edhe mëtutje në Kosovë makinat kanë sigurim por njerëzit nuk kanë sigurim shëndetsorë! Për policët e ushtarët as që bëhet fjalë!”, tha Abazi për rtv21.
Në anën tjetër njohës të fushës së ekonomisë vlerësojnë se në krizën ekonomike në të cilën gjendet Kosova, nuk e ka komoditetin që të subvencionoj mërgimtarët në këtë formë.
“Nëse BQK-ja paska guxim dhe komoditet të subvencionoj mërgimtarët me rreth 4 milionë euro atëherë le të subvencionoj edhe qytetarët që jetojnë në Kosovë pasi që këta të fundit po e vuajnë inflacionin”, tha Gërxhaliu.
Polica e subvencionuar nga ministria e financave për bashkatdhetarët ka afat vlefshmërie 1 muaj nga data e lëshimit. Në subvencionim nuk përfshihen autobusët, kamionët, motoçikletat. Për të përfituar nga ky subvencionim polica e sigurimit duhet të merret vetëm në pikë-kalimet kufitare./RTV21/21Media