Kriza në Detin e Kuq pritet t’i rrisë disa çmime në Kosovë

Në Kosovë rrezikohet të ketë ngritje të çmimeve të disa produkeve si pasojë e krizës në Detin e Kuq, ku po pengohet transporti detar në Kanalin e Suezit nga rebelët e Huthit. Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se kjo krizë do të sjellë shpenzime dhe vonesa të transportit, e rrjedhimisht do të ketë edhe ngritje të çmimeve në ato produkte që importohen nga Azia.

Shumë kompani që mallrat e tyre i importojnë përmes transportit detar, janë detyruar që të ndalojnë anijet e tyre të mallrave që të lundrojnë në këtë det dhe i kanë naviguar në drejtime të tjera më të gjata.

Duke qenë se Kosova varet nga importi i produkteve të huaja, si nga vendet fqinje, ato të Bashkimit Evropian dhe më larg, po vlerësohet se kjo mund të ndikojë në rritjen e çmimeve të disa produkteve dhe të transportit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna konsideron se kjo krizë po sjellë shpenzime më të larta të transportit dhe rrjedhimisht do të sjellë ngritje të çmimeve në mallrat të cilat importohen nga Azia.

“Shpenzimet e transportit për kontinierë janë rritë për shkak të krizës që është shfaqë. Mirëpo prej një shume që e kishim prej para prej 2700-3000 dollarë për kontinierë tani ka arritë në 7.000 ose 7.500 sipas info të fundit që i kemi. Dhe padyshim, kur ngriten shpenzimet e transportit, drejtpërdrejt reflekton edhe në çmime shitës të mallit edhe kjo e rritë çmimin. Ka edhe vonesa për arsye se po duhet dyfishin e rrugës me e bo agjencionet e transportimit të mallit. Sipas infove ajo po e merr dyfishin nëqoftëse ka ardhë një kontinier për 24 orë, tani nuk mundet me ardhë brenda 36 orëve ose 40 orë për shkak të rrugës se dyfishtë”, tha Rafuna për RTV21.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, mendon se nga krejt kjo krizë që po prekë edhe Kosovën, pasojat do t’i bartin konsumatorët.

“Në raste kur ju duhet që mallrat të mos kalojnë në kanalin e Suezit po të shkojnë rrotull Afrikës, i zgjatet koha e transportit dhe normalisht cmimi i tij. Pra rritet kosto e importimit të atyre mallrave njëra pjesë e problemit dhe pjesa tjetër mund të jetë edhe ndikimi në cmimet e derivateve të naftës…Bizneset e kalkulojnë cmimin e krejt operatives dhe atë cmim ata e shohin cmim të shitjes dhe e paguajnë konsumatorët. Ata nuk i humbin shpenzimet e importimit sepse i kalkulojnë edhe fitimin edhe pasqyrohet në cmim të shitjes me pakicë që pasqyrohet te rritja e cmimit të produkteve për konsumator”, tha Shatri për RTV21.

Afaristi Burim Piraj, thotë se kjo krizë në botë ka shkaktuar ndërlikime me disa mallra, çmimet e të cilave pronarët do të detyrohen t’i rrisin për shkak të vonesave.

“Transporti që është rritur nga Kina, nuk është rritur edhe shumë, mirëpo ka edhe vonesa. Ato komplikime të cilat mund të jenë me disa mallra të caktuara mund të jenë për shkak të vonesës, atëherë kompanitë do të detyrohen ndoshta ta rrisin çmimin për mos të hetohet mungesa në treg që ata artikuj të ngadalsohen në shitje. Ne e marrim lëndë të parë nga Kina dhe kemi pasë vonesa dhe na kanë shkaktu probleme, kemi probleme me mungesë të ambalazhit, dhe kjo shkakton edhe prodhim pak të volumit më të vogël, dhe volumi i prodhimit shkakton humbje në kompani”, tha Piraj.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se vitin e kaluar, vendi ynë ka importuar produkte në vlerë prej 5.8 miliardë eurosh. Kosova, sipas Bankës Qendrore, rreth 10% të tregtisë së jashtme e bën me Kinën./21Media

 

Back to top button