Kronologjia e sulmeve terroriste në Evropë

45 vjet terror, mbi 10 mijë të vrarë

Në bazë të kronologjisë dhe statistikave të sulmeve terroriste të ndërmarra në 45 vjetët e fundit në Evropë, duke filluar nga Britania deri në Rusi, janë vrarë mbi 10 mijë njerëz, ndërsa shtetet me numrin më të madh të personave të vrarë si pasojë e këtyre sulmeve janë Rusia, Britania, Ukraina, Spanja dhe Franca.

Terroristët anembanë Evropës, në periudhën prej vitit 1970 deri në vitin 2015 kanë vrarë 10 mijë e 537 njerëz, në mbi 18 mijë sulme, thuhet në studimin e Universitetit të Merilendit. Si pasojë e sulmeve me bomba janë vrarë 4700 persona, në atentate mbi 2500, ndërsa 2356 njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve tjera. Nga viti 1970 deri në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, Evropa Perëndimore ishte dëshmitare e shtimit të sulmeve terroriste të inspiruar nga nacionalizmi, të ndërmarra nga grupet si Armata Republikane e Irlandës në Irlandën e Veriut dhe nga organizata separatiste baske, ETA, në Spanjë. Në anën tjetër, numri i sulmeve terroriste në Evropën Lindore u rrit, pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, shkruan rtv21.tv

Grupet terroriste u formuan si rezultat i konflikteve në shumë ish-republika sovjetike, me ndihmën e grupeve terroriste islamike, siç është Al Kaida. Dy sulmet më të përgjakshme në Rusi ndodhën në vitet 1999 dhe 2004. Në shtator të vitit 1999 një seri e shpërthimeve ndodhi në katër objekte të banimit në Moskë, Binjaks dhe Vollgodonsk. Me këtë rast u vranë 293 persona dhe u lënduan mbi 1 mijë të tjerë. Pesë vjet më vonë, më 1 shtator kryengritësit çeçenë hynë në një shkollë në qytetin Besllan, në Osetinë e Veriut, ku morën peng mbi 1 mijë persona. Mbi 300 persona u vranë gjatë pengmarrjes që zgjati tri ditë, me gjysmën e viktimave që ishin fëmijë. Në Britani, si pasojë e sulmeve të ndërmarra nga ekstremistët e brendshëm dhe të jashtëm gjatë kësaj periudhe, janë vrarë 2570 njerëz, në kuadër të 1679 sulmeve. Grupet në vdekjeprurëse ishin IRA dhe Forcat Vullnetare të Ulsterit. Ishin këto dy grupe të rivalizuar në Irlandën e Veriut, me republikanët që kërkonin bashkimin e Irlandës së Veriut me Republikën e Irlandës dhe me lojalistët, të cilët angazhoheshin për mbetjen e Irlandës së Veriut në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, IRA nuk ishte përgjegjëse për sulmin më vdekjeprurës në Britani, e që ishte vendosja e bombës në një aeroplan, i cili në vitin 1988 shpërtheu mbi qytetin skocez, Lokerbi, me ç’rast u vranë 270 njerëz. Për këtë sulm u shpall fajtor dhe u dënua agjenti nga Libia, Abdell Al Megrahi.

Në Spanjë, si rezultat i 659 sulmeve, janë vrarë 1129 persona. Ngjashëm si në Britani, edhe në Spanjë nga viti 1970 deri në vitin 2000, sulmet terroriste u ndërmorën nga grupet lokale nacionaliste. ETA ishte përgjegjëse për numrin më të madh të sulmeve, por jo edhe për serinë e sulmeve me bomba në vitin 2004 në metronë e Madridit, kur u vranë 190 persona. Përgjegjësinë për këto sulme e mori përsipër një grup i lidhur me Al Kaidën. Viti më i përgjakshëm në Francë ishte vitin 2015, kur si pasojë e sulmeve terroriste të ndërmarra nga ekstremistët islamikë u vranë 140 persona./21Media

Back to top button