Kryeministri Kurti fton mjekët të kthehen në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.
Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti tha se “shëndetësia është edhe praktikë e efikasitet në punën e përditshme, edhe akademi e shkencë që edukon brezat e rinj të profesionistëve dhe akademikëve”.
Ai u shpreh i lumtur që merr pjesë në hapjen e Kongresit, në praninë e shumë profesionistëve mjekësorë, në mesin e të cilëve edhe mërgimtarë që nuk e kanë harruar Kosovën dhe janë prezent sa herë u jepet rasti e mundësia.
“Më vjen mirë që po ju takoj në Kosovë, në Prishtinë. Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai i njoftoi të pranishmit edhe për formimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi me vendim të Qeverisë.
“Meqë shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca, e kemi ngritur Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që e kryesoj unë, për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor e për t’i hapur rrugë reformës në shëndetësi”, shtoi më tej kryeministri.
Në fund të fjalës, ai u uroi pjesëmarrësve punime të mbara në këtë kongres që do të mbahet nga 15 deri me 18 shtator, në Prishtinë./21Media

Back to top button