Kryeministri me thirrje për vajzat që do të nisin studimet sivjet

Për Qeverinë e Kosovës, zhvillimi i gjithëmbarshëm nuk mund të paramendohet pa arsim cilësor, pa zhvillim të kapitalit njerëzor, e qasje të barabartë në mundësitë për zhvillim. Kështu tha sot kryeministri Albin Kurti, në Ditën ndërkombëtare të vajzave dhe grave në shkencë.
Në shkollën fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri”, ku edhe vetë ishte nxënës për tetë vjet, kryeministri vizitoi Klubin e Kodimit të kësaj shkolle. Nga vajzat pjesëmarrëse në klubet e kodimit u prezantuan projektet inovative të zhvilluara nga nxënëset e shtatë shkollave të mesme të ulëta nga e gjithë Kosova.
Kryeministri theksoi se përmes punës së përbashkët duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor, të sigurohemi që pjesëmarrja e grave në fushën e shkencës, teknologjisë e inovacionit, të mos jetë përjashtim, por normë.
“Së bashku, do të punojmë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për arritjen e barazisë gjinore”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se nëpërmjet “Sfidës së Shkencës”, do të synohet qysh herët tek nxënësit e nivelit parauniversitar të frymëzohet me ndërveprim me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve e shkollave.
“Me Rrjetin e Grave në STEM, do të ofrojmë ombrellë afatgjatë të organizimit dhe forcimit të grave dhe vajzave në këto fusha shkencore. E përtej shënimit simbolik të 11 shkurtit, nga viti i ardhshëm do të organizojmë konferencën vjetore për gratë në shkencë, për të promovuar arritjet shkencore të grave dhe vajzave”, shtoi ai.
Kryeministri u bëri thirrje vajzave që do të nisin studimet sivjet, që t’i konsiderojnë studimet në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës – STEM.
Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, këtë vit akademik, Qeveria ka ndarë 1 mijë e 365 bursa, në vlerë 1 mijë euro për vajzat në STEM./21Media

Back to top button