Kryeministri: Mjekë, mos ikni në Gjermani!

“Sot iu përgjigjemi urgjencave mjekësore për 10-15 minuta në zona urbane dhe 20-30 minuta në zonat rurale”

Në kushtet kur mjekët dhe infermierët po largohen jashtë vendit për të punuar, kryeministri u bën thirrje të qëndrojnë në Shqipëri. “Mjekët që punojnë larg zonës së banimit marrin deri në 2500 dollarë më shumë”, tha Rama, ndërsa njoftoi se pas janarit 300 mjekë të rinj do t’i shtohen sistemit shëndetësor.

Kryeministri, Edi Rama, u bëri thirrje mjekëve dhe infermierëve të qëndrojnë në Shqipëri e të mos largohen në Gjermani ku taksat janë më të larta.

Për të kundërshtuar të gjithë ata që thonë se mjekët po largohen, Rama solli edhe shembuj të kthimit të tyre në vend.

“Janë 4 mijë infermierë që duan të hyjnë në sistem dhe janë në Shqipëri, jo në Gjermani, janë në portal, por ndryshe ngasa ka ndodhur për 25 vjet, nuk hyn më në punë përmes partisë e parasë, por përmes pikëve të fituara në testimin kombëtar të infermierëve. Pas janarit do kemi 300 mjekë të rinj specialistë të cilët po ashtu në bazë të meritës dhe rezultateve do të mund të zgjedhin se ku dhe nëse duan të kontribuojnë. Për të gjithë ata që do kontribuojnë në ato zona që janë jashtë zonave të tyre të banimit, do marrin aq sa do merrnin nëse do ta fillonin punën në Gjermani.  Aq marrin të gjithë mjekët që shkojnë jashtë Tiranës për të shërbyer si specialistë. Marrin rrogën si mjekë dhe marrin mbi rrogën 2 mijë deri në 2500 dollarë në muaj. Po të llogarisësh taksat që paguajnë këtu që janë 5 fish më të ulëta, se sa do paguanin në Gjermani ta bëjnë vetë llogarinë se si është më mirë por një gjë është e sigurt se as kemi e as do kemi mungesë mjekësh dhe infermierësh në sistemin tonë shëndetësor”, tha Rama.

I pranishëm në prezantimin e flotës së re prej 32 autoambulancash që iu shtuan Qendrës Universitare Spitalore, Rama foli edhe për bonusin e bebeve, duke shtyrë çiftet të lindin më shumë fëmijë.

Ndërsa, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli për një rritje të shpejtësisë së shërbimit të së urgjencave spitalore.

“Sot iu përgjigjemi urgjencave mjekësore për 10-15 minuta në zona urbane dhe 20-30 minuta në zonat rurale. I përgjigjemi në kohë çdo urgjence spitalore dhe para spitalore. Sot me linjën 127 apo 112 çdo qyetar mund të marrë shërbim urgjence në kohë.  Jemi në fillim të rrugës dhe nuk jemi ende në premtimin që t’i përgjgjemi çdo rasti urgjence në 10-15 minuta. Në Tiranë jemi në 16 minuta kohë mesatare dhe 20 minuta në zonat urbane. Në rrugët e Shqipërisë nuk do të gjejmë më ato autoambualanca, deri në 2021 dotë kemi një flotë të autoambulancave për shërbim cilësor të urgjencave spitalore”, tha ajo.

Sipas statistikave të qeverisë, nga nëntori i vitit 2015 dhënia e ndihmës së parë përmes urgjencës ka shpëtuar 3 mijë jetë njerëzore, raporton Oranews.

Back to top button