Kryeprokurori Kryeziu thotë se motivi i krimit në Prizren ende nuk dihet

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka folur pak më parë para gazetarëve në lidhje me krimin e rëndë që ndodhi sot në Prizren.

Ai tha se motivi ende nuk është i qartë.

“Po flasim për një rast që është në fazë shumë të hershme. Sapo kemi dalë nga këqyrja e vendit dhe motivet nuk i kemi ende të qarta. Kemi disa informacione që nuk mund t’i ndajmë me opinionin mirëpo ajo çka mund ta konfirmojmë me një rast që i dyshuar dhe viktimat janë shtetas të huaj, janë shtetas turk. Është rasti i parë që janë në evidencat policore padyshim edhe prokuroriale, sepse s’ka të kaluar kriminale i dyshuari”, tha ai.

Ai ndër të tjera shtoi se fqinjët e kanë përshkruar të dyshuarin si njeri të qetë.

“Kryerësi i veprës penale ka qenë duke punuar në një lokal gastronomie. Nga informatat që kemi marrë ata kanë jetuar në këtë objekt rreth gjashtë muaj. Informatat e fqinjëve dhe personave që i kemi identifikuar deri tash flasin për një familje të qetë, kryerësin e përshkruajnë si një person të qetë por ja që ka ndodhur kjo dhe askush nuk ka asnjë informatë se pse ka ndodhur.”, tha Kryeziu.

Ai deklaroi se hetuesit kanë biseduar me bashkëshorten e të dyshuarit, por se s’është intervistuar.

“Ajo i ka dhënë disa versione por që s’mund ti ndajmë në këtë fazë me opinionin.”, tha kryeprokurori.

Krejt në fund ai tha se dyshohet që me të njëjtën thikë janë lënduar tri viktimat.

“Ne jemi kujdesur edhe në këtë drejtim. Thashë që jemi në fazë shumë të hershme, kemi biseduar dhe kontaktuar dhe presim informatat që na vijnë nga shteti turk”, tha Kryeziu. /21Media

Back to top button