Kryeqyteti me 14 kompani të kontraktuara për pastrimin e rrugëve

Ndryshimi klimatik dhe reshjet e borës kanë shkaktuar problem në komunikacion. Në Komunën e Prishtinës thonë se janë 14 kompani të kontraktuara për pastrimin e rrugëve nga bora, përderisa, njohës të fushës së komunikacionit deklarojnë se rreziku nga aksidentet rritet në kushte të tilla klimatike.

Me borën e bardhë e të bukur vijnë edhe vështirësitë, e sidomos ato në komunikacion e në rrugët e kryeqytetit dhe jo vetëm.

Ndonëse në Prishtinë janë disa kompani të angazhuara për mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve, gjendja e tyre shpeshherë është e vështirë për qarkullim.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, shprehet skeptik se me kapacitet poseduese mund të mbulohen të gjitha rrugët e kryeqytetit.

“I kemi të kontraktuara 14 llote për heqje të borës dhe shpërndarje të kripës. Po them që edhe menaxherët kanë qenë të alarmuar për tu bindur nëse janë të pajisur me të gjitha gjërat. Kemi dalë qysh nga mëngjesi për të pa disa prej zonave se qysh ka shku heqja e borës. Asnjë raportim s’kemi për ndonjë aksident të vetëm. Vërejtjet e mia kanë qenë për pastrimin e trotuareve…”, tha Brestovci për rtv21.

Njohësi i komunikacionit, Liridon Shahini, thotë se ngasësit e automjeteve por edhe këmbësorët duhet të kenë kujdes të shtuar për shmangien e aksidenteve në kushte të borës.

“Ndryshimi i temperaturave sjellë vështirësi në komunikacion. Ka rrugë të papastruara, automjete të pa përgatitura. Bora e ulë fërkimin mes rrugës dhe borës dhe sjellë problem sidomos në rrugë më kthesa, rrethrrotullime, udhëkryqe e kështu me radhë. Shikueshmëria zvogëlohet në rrugë me borë si dhe bllokim i rrugëve si pasojë e numrit të shtuar të automjeteve. Dhe në këtë rast kemi bllokada apo pengesa të rrugëve”, tha Shahini për rtv21.

Instituti Hidrometeorologjik për ditët në vijim parashikon të reshje.

Në viset e larta parashihen reshje bore, derisa edhe në disa pjesë reshjet e borës mund të përfshijnë edhe viset mesatare.

Fundjava gjithashtu parashihet me ulje të përkohshme të temperaturave dhe me ngrica./RTV21/21Media

Back to top button