Kryeshefja e Postës së Kosovës dënon sulmin në Zveçan

Kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, ka reaguar pas sulmit të ndodhur mëngjesin e sotëm, ku zyra postare Zveçan-2 u godit me mjete shpërthyese, duke e cilësuar atë si “një akt kriminal ndaj një institucioni publik” dhe “një goditje ndaj sigurisë dhe paqes së qytetarëve”.
Rraci ka theksuar se ky sulm “cënon jo vetëm infrastrukturën e një shërbimi publik jetik, por edhe ndjenjën e përkatësisë dhe besimit që është ndërtuar me mund e përkushtim për vite me radhë”.
Ajo ka bërë thirrje që organet e rendit dhe drejtësisë ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet maksimal, duke identifikuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e sulmit. “Dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend në një shoqëri të zhvilluar e demokratike”, ka deklaruar Rraci, duke shtuar se Posta e Kosovës “nuk do të lejojë që këto veprime të na ndalin në përkushtimin tonë për të shërbyer qytetarët e Kosovës, pa dallim, anë e këndë vendit”.
Në njoftim theksohet se, pavarësisht sulmit, shërbimet postare në Zveçan do të vazhdojnë. Qytetarët mund të përdorin zyrën postare Zveçan-1, e cila ndodhet në objektin e Komunës. Gjithashtu, zyra postare Zveçan-2 do të rikthehet në funksion së shpejti, falë përkushtimit të stafit dhe mbështetjes së institucioneve.
Kryeshefja Rraci ka falënderuar Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe profesional, duke theksuar se “dhuna nuk mund të jetë asnjëherë zgjidhje” dhe se Posta e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në shërbim të çdo qytetari, si një simbol i stabilitetit dhe përparimit të përbashkët.
Në fund, Rraci ka shprehur falënderime për të gjithë qytetarët e Kosovës për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke shtuar se ky besim i motivon ata të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për të ofruar shërbime të sigurta, të shpejta dhe të qasshme për të gjithë.