Kryetarëve të komunave u skadoi mandati

Se situata është tejet serioze, flet edhe fakti se, nëse deri nesër nuk do të gjendet zgjidhje, në pikëpyetje do të vihet edhe funksionimi i ndërmarrjeve publike

Është ora tetë e mëngjesit, ndërsa të punësuarit në Qytetin e Shkupit po mbërrijnë në vendet e tyre të punës. Pamja është si çdo ditë e zakonshme. Zyrtarët, sekretarët dhe këshilltarët, ditën e tyre të fundit të mandatit të kryetarëve të komunave, e filluan njëjtë si edhe ditët e tjera. Disa mbërrinin në kohë, ndërsa të tjerë me pak vonesë. Më në fund, rreth 15 minuta para orës 10, me veturën e tij zyrtare dhe me shoferin e tij personal, mbërriti edhe kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski. Nëse për një kohë sa më të shpejtë nuk do të ketë zgjidhje të kësaj situate, atëherë puna e ndërmarrjeve publike do të bllokohet tërësisht, u shpreh Trajanovski për TV21.

Se situata është tejet serioze, flet edhe fakti se, nëse deri nesër nuk do të gjendet zgjidhje, në pikëpyetje do të vihet edhe funksionimi i ndërmarrjeve publike.

Nëse nuk gjendet zgjidhje, qytetarët nuk do të mund t’i shfrytëzojnë shërbimet që i marrin nga vetëqeverisja lokale. Të punësuarit në çerdhe, shkolla dhe në të gjitha institucionet që janë nën kompetencë të komunave, nuk do të marrin rrogë, projektet infrastrukturore do të stopohen, transporti publik nuk do të funksionojë, ndërsa nuk do të funksionojë as higjiena komunale, që i rregullon parqet. Gjithashtu, edhe zjarrfikësve nuk do të ketë kush t’u japë urdhër në rastet kur do të duhet të intervenojnë.

Pas përfundimit të takimit të këshillit drejtues të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale ku morën pjesë njerëzit e parë të vetëqeverisjes lokale, u vendos që ata edhe më tej të mbeten në funksionet e tyre, por pa mandat për të nënshkruar. Sipas tyre, koj është zgjidhja më e mirë që komunat dhe ndërmarrjet publike të mos bllokohen tërësisht.

“Presim dhe kërkojmë që ligjet të kalojnë sa më parë, të shpallen zgjedhjet dhe me këtë të debllokohet funksionimi i vetëqeverisjes lokale. Të gjitha dokumentet që i nënshkruajnë kryetarët e komunave, më nuk do të kenë të drejtë t’i nënshkruajnë”, tha Trajanovski.

Përndryshe, më 10 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht të mos zhvillojë procedurë për vlerësimin e iniciativave për heqjen e dy neneve të ligjit për vetëqeverisje lokale dhe të Kodit Zgjedhor, me çka kryetarëve dhe këshilltarëve komunalë do t’u lejohej të mbeteshin në funksionet e tyre deri në zgjedhjet e ardhshme lokale./21Media

Back to top button