Kryetari i Gjykatës Supreme thotë se nuk ka konsistencë të dënimeve për korrupsion

Sipas Pecit vetëm 100 raste kanë mbetur të papërfunduara nga viti paraprak

Në vitin 2018 nuk kanë përfunduar vetëm 100 raste nga 1371 sa ishin në punë, në Gjykatën Supreme. Të paktën kështu thotë kryetari i kësaj gjykate, Enver Peci. Ai thotë se suksesi më i madh për vitin 2018 është hartimi i Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore në Kosovë.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, tha se është evidente se gjykatat dhe gjyqtarët në Kosovë nuk kanë konsistencë në aktgjykimet dënuese. Sipas tij, dikush për 70 mijë euro dënohet me kusht, ndërsa dikush tjetër për shumë më të vogël, dënohet me 3 vjet burg.

“ Gjykata gjatë vitit 2018 ka miratuar një udhëzues për politikë ndëshkimore në Kosovë. Ideja ka qenë që si gjykatë, e cila merret edhe me unifikimin e praktikës gjyqësore, kemi vërejt se ka mos konsistencë në matjen e devijimeve… Për vepra të ngjashme penale, në rrethana të ngjashme janë shqiptuar dënime të ndryshme dhe kjo ka krijuar një mosbesim te qytetarët….Dikush për 70 mijë euro dënohet me kusht, dikush për pesë mijë euro me burg dhe kjo me të vërtetë nuk është që ne me bo një rend”, ka thënë Peci.

Peci po ashtu ka folur edhe për rastin e Sali Mekajt, i cili ishte i akuzuar për keqpërdorim të detyrës. Ai tha se gjykata Supreme ka vërtetuar vendimin e dy shkallëve të gjykatave në lidhje me rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit. “ Unë sa e di, nuk është konstatuar shkelje, do të thotë është vërtetuar ajo që është vendosur në gjykatat më të ulta, për shkak se nuk kam njohuri kështu me rast konkret, veç sa jam i njoftuar është vërtetuar ajo që është konstatuar në gjykatat tjera”, tha ai.

Ai në një konferencë për media ka pasqyruar punën një vjeçare të kësaj gjykate. Tha se një nga sukseset me të mëdha, sipas tij është hartimi i Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore në Kosovë.

Mes tjerash, ka treguar edhe numrin e lëndëve të pranuara, ku nga 1371 tha se janë 100 të papërfunduara. “ Në vitin që lam pas gjithsej i kemi pasur 1371 raste, të pranuara kanë qenë 1151, ndërsa të bartuara prej vitit 2017 kanë qenë 220 raste. Gjyqtarët e kësaj gjykate i kanë përfunduar 1271 raste, do të thotë kanë mbetur pa përfunduar 100 raste. Dhe dëshiroj të ju ceki se këto raste me siguri që kanë ardh ditëve të fundit të vitit 2018, dhe presin epilogun shumë shpejt për t’u përfunduar. Një arritje vecanërisht është e degës penale, për shkak se vetëm tetë raste kanë mbetur pa përfunduar në lëmin penale, dhe ato tetë raste sa janë pa përfunduar, janë në proces për shkak se është kërkuar nga këshillorja e kësaj gjykate dhënie e mendimeve nga institucionet tjera”, tha Peci.

Peci mes tjerash ka theksuar se gjatë vitit 2018 ka pasur raste, kur gjyqtarët kanë përfunduar të gjitha lëndët e pranuara.

Peci tha se janë komod sa i përket numrit të gjyqtarëve. Tha se me 15 gjyqtarë sa janë momentalisht, janë në gjendje të përballojnë të gjitha lëndët që pranojnë.

Back to top button