Kryetari i Klinës raporton për gjendje të rënduar nga vërshimet në këtë komunë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka thënë se gjendja pas vërshimeve të fundit në këtë komunë është e rënduar.
Elezaj ka thënë se dëmet janë të konsiderueshme në pronat publike, ekonomitë familjare dhe bizneset.
Ai njoftoi se do të formohet komision për vlerësimin e dëmeve dhe se do të kërkohet mbështetje nga institucionet qendrore për kompensimin e dëmeve ekonomike.
“Aktualisht jemi duke u marrë me menaxhimin e situatës, e cila paraqitet mjaft e rënduar. Në ditët në vijim do të formohet komisioni për vlerësimin e dëmeve dhe do të kërkohet mbështetje edhe nga institucionet qendrore për kompensimin e dëmeve ekonomike”, ka shkruar Elezaj krahas pamjeve që ka publikuar.
Elezaj u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe që, në rast nevoje, të raportojnë te shërbimet emergjente të komunës.