​Kryetari i Lirisë: Jemi hijeshia e Superligës së Kosovës

Skuadra e Lirisë do ta nisë të dielën stinorin pranveror të Superligës së Kosovës.

Të dielën stadiumi “Përparim Thaçi” do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Lirisë dhe kampionit aktual, Ballkanit.

Edhe pse gjatë këtij pushimi skuadrën prizrenase e përcollën disa probleme, kryetari i Lirisë, Valon Osmani ka thënë se në pjesën e mbetur të sezonit “do të jemi arrë e fortë për çdo skuadër”.

“Ne, gjatë gjithë kohës, nga mbarimi i stinorit vjeshtor, jemi munduar të bëjmë më të mirën. Kemi ofruar shumë futbollistë cilësor. Liria, nuk e ka ndërmend në asnjë moment të dorëzohet. Përkundrazi, me përkrahjen e publikut, që është më i miri në vend, do të jemi arrë e fortë për çdo skuadër”, tha Osmani.

Po ashtu, Osmani tha se Liria është hijeshia e Superligës së Kosovës, dhe se është i bindur se do të mbijetojë në kampionatin elitar vendor.

“Jemi të bindur se do të mbijetojmë. Këtë e meritojnë adhuruesit e shumtë. Liria, është hijeshia e Superligës. Është brend në vete. Nga këtu buron edhe optimizmi ynë, se suksesi në arritjen e objektivit s’do të mungojë”, tha Osmani.

Ndeshja, Liria-Ballkani, luhet të dielën në stadiumin “Përparim Thaçi”, me fillim nga ora 13:00.

Back to top button