Kryetari i Skenderajt i kërkon Memli Krasniqit që të largojë dy anëtarët e PDK-së në KQZ

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka kërkuar nga Kryertari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, që te heq nga pozitat dy përfaqësuesit e PDK-së në KQZ-së.
Kjo sipas tij duhet të bëhet pasi që siç tha të njëjtit janë për keqardhje.
“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në skenën politike të vendit, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të shumë anëtarëve tanë në mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe të integritetit zgjedhor, vlerësojmë se sjellja e dy përfaqësuesve aktualë të PDK-së në KQZ ka qenë për keqardhje dhe në kundërshtim me interesat e partisë.”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij këta dy anëtarë kanë dështuar që ta mbrojnë dinjitetin e partisë në KQZ.
“Në vend që të kontribuojnë në mbrojtjen e qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të reagojnë ndaj fyerjeve dhe sulmeve të përsëritura nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjet e KQZ-së, këta anëtarë kanë dështuar të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë. Sjellje të tilla dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës në një institucion të rëndësishëm siç është KQZ-ja.
Për këto arsye, kërkojmë nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës që të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për t’i liruar nga detyra këta dy anëtarë të KQZ-së dhe për t’i zëvendësuar me përfaqësues të tjerë me integritet të lartë profesional e politik, të cilët do të mbrojnë me dinjitet interesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës./21Media