Kryeziu-Hyseni: Qeveria Kurti s’do të themelojë Asociacionin, por vetëmenaxhimin

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Arbërshë Kryeziu-Hyseni tha se Qeveria Kurti nuk do të themelojë Asociacionin, por vetëmenaxhimin! Ani pse ajo tha se nuk e di se çfarë do të përmbajë ky i fundit.

Kryeziu-Hyseni sonte në emisionin “Click” në RTV21 u shpreh se çfarë është vetëmenaxhimi do të zbulohet kur të fillojë dialogimi për të.

“Struktura e vetëmenaxhimit nuk dihet ende për shkak se ende nuk janë sjellë modalitete në tavolinë, të cilat mund ta definojnë atë se si do të duket vetëmenaxhimi”, tha ajo.

Në anën tjetër analistja, Alma Lama e replikoi deputeten e VV-së duke i thënë se kjo është “fyerje e inteligjencës”.

“Është fyerje e intelegjencës të thuash ne nuk e bëjmë Asociacionin, por vetëmenaxhimin, por çfarë është vetëmenaxhimi? Nuk e dimë!”, u shpreh Lama duke e theksuar se ky term nuk ekziston në kartat e Këshillit të Evropës për pushtetin lokal.

 

Ky “nivel i vetëmenaxhimit” parashihet me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër, më 19 mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti “draft-vizionin” e tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

Draft-vizioni erdhi si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Kurti e refuzoi, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë.

Serbia ka këmbëngulur në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa Kosova ka thënë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit./21Media

Back to top button