Kryeziu i reagon Listës Serbe: Kamerat në veri janë në shërbim të sigurisë publike

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, është kundërpërgjigjur deklaratës së Listës Serbe për kamerat vëzhguese në hapësirat publike në veri të vendit, duke thënë se ato janë në çdo qytet dhe si të tilla janë në shërbim të sigurisë publike.

“Deklarata e djeshme e Listës Serbe në fakt është reagim pas humbjes së kontrollit mbi mjetet me të cilat bënte presion dhe i frikësonte bashkëqytetarët tanë. Së pari, në secilin qytetet ka kamera në vende/hapësira publike e që menaxhohen nga Policia e Kosovës. Ato janë të ligjshme dhe janë në shërbim të sigurisë publike. “, ka shkruar Kryeziu.

“Në komuna të ndryshme me shumicë serbe në Kosovë, përfshirë edhe ato në veri të vendit, strukturat ilegale serbe dhe organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” vazhdimisht kanë përdorur kamerat e vëzhgimit, të cilat kanë qenë të qasshme edhe për institucionet e sigurisë së Serbisë. Një numër i konsiderueshëm i tyre janë sekuestruar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se janë përdorur për të monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Ai për deklaratën e Listës Serbe e ka quajtur si reagim ndaj humbjes së mjeteve për presion e frikësim të qytetarëve.

“Në të kaluarën, bashkëpunëtorë të Listës Serbe i kontrollonin këto kamera. E kur kishin një kontroll të tillë, asnjëra prej tyre nuk kishte punuar më 16 janar 2018, kur u vra politikani serb Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës”, ka shkruar Kryeziu.
“Koha e banditëve të kthyer në terroristë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile” ka marrë fund. Të gjithë duhet të mësohen me shtetin ligjor në një republikë demokratike”, ka vijuar Kryeziu.

Lista Serbe përmes një reagimi ka pretenduar se kamerat e sigurisë në hapësira publike shkelin të drejtat e privatësisë së qytetarëve serb./21Media

Back to top button