Kryeziu: Jemi të angazhuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se po punohet që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm.
Ani pse pas takimit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në Qeveri nuk treguan për rezultatin e diskutimeve në lidhje me kushtin ndërkombëtar për pjesëmarrje të Kosovës në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.
Por, Kryeziu të premten për rtv21 tha se autoritetet qeveritare janë duke punuar për zgjidhje.
“Po punojmë dhe jemi të angazhuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”, tha Kryeziu.
Gjermania ka kërcënuar Kosovën me mospjesëmarrje në samitin që mbahet më 14 tetor, nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia. Sipas emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kjo ndalesë bllokon edhe punën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.
E, zyrtarë të BE-së kanë deklaruar në disa raste se ndalesa e importeve serbe është në kundërshtim me Marrëveshjen CEFTA./RTV21/21Media