Kualifikimi i Shqipërisë do të sjellë festë të madhe në Tiranë

Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të ballafaqohet sonte me Moldavinë, sfidë nga e cila do t’i mjaftonte vetëm një pikë për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian të futbollit që zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Organizimi për këtë ndeshje është jashtëzakonisht i madh, madje ajo do të transmetohet në një ekran gjigant në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Tiranës, aty kur pritet të mblidhet një numër i madh i tifozëve kuq e zi.

Gazetar i “Topnews”, Erjon Halili ka thënë  se entuziazmi në Shqipëri është i jashtëzakonshëm para përballjes Moldavi-Shqipëri dhe përgatitjet për festë tashmë janë bërë.

Halili më tutje ka zbuluar se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, skuadra do të niset drejt Tiranës, aty ku në rast të kualifikimit, në aeroportin Rinas do të priten nga një numër i madh i tifozëve.

Sa i përket ndeshjes, Halili thotë se të gjithë lojtarët janë në formën më të mirë, por që trajneri brazilian, Silvinjo u ka kërkuar atyre që të tregojnë profesionalizëm dhe pjekuri gjatë 90 minutave në fushë.

Momentalisht, Shqipëria është lidere e grupit E me 13 pikë, e ndjekur nga Republika e Çekisë me 11 dhe Polonia me 10 sosh.

Back to top button