Kuka: As prej Lorianës, as prej Norës nuk kam pritë medalje olimpike, por prej Akilit po

Trajneri i xhudistëve olimpikë të Kosovës, Driton Kuka tha se në xhudo në rend të parë është disiplina, duke theksuar se ai si trajner ka parime për sportistët.
Kuka në një intervistë për programin e mëngjesit “Për ditë të mbarë” në RTV21 foli edhe për xhudistët kosovarë të Lojërave Olimpike 2024 duke treguar se as prej Nora Gjakovës as prej Loriana Kukës nuk ka pritur medalje olimpike, por ka pritur shumë prej Akil Gjakovës.
“Loriana ka pasë një nivel jashtëzakonisht të mirë por Loriana dhe Nora të dyja kanë pasë probleme me lëndimet, bile Loriana këto katër muajt e fundit ka pasë një operim në gju në Zvicër dhe nuk arriti të rikuperohet. Ndërsa, Norës iu është sugjeruar të operohet por nuk kemi pasur kohë. Realisht nëse me pyetni, sinqerisht ju përgjigjem se as prej Lorianës as prej Norës nuk kam pritë medalje, por prej Akilit po”, tha Kuka.
Ai përmendi edhe vlerësimin e komisionit për përballjen e Akil Gjakovës.
“Dua të rezervohem por duhet të analizohet mirë gjuajtja e Akilit. Me Akilin dhe përformancën e tij jam shumë i kënaqur”, tha Kuka duke shtuar se Akili ka pasë përformancën më të mirë në jetën e tij.
Kuka u shpreh se Laura Fazliu ka pasur fatin e botës ani pse ka qenë e kundërta e Akilit .
“Laura ka pasë fatin e botës sepse ka qenë e kundërta e Akilit. Laura ka pasë ngarkesë të madhe psiqike dhe nuk ka treguar krejt çka mundet dhe duhet”, tha ai.
Deri më tani Kosova ka rrëmbyer dy medalje në Paris nga sporti i xhudos, Distria Krasniqi e ka rrëmbyer medaljen e argjendtë dhe Laura Fazliu medaljen e bronztë./21Media