Kundër dhunës gjinore, Haxhiu dhe Konjufca thonë se janë forcuar mekanizmat e ligjit

Nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Koordinatores Nacionale Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore, u mbajt konferenca gjithë ditore “Të Bashkuar Kundër Dhunës – Mjaft!”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë fjalimit të saj tha se Kosova ka bërë hapa përpara në shumë drejtime në luftimin e dhunës me bazë gjinore.
Ajo tha se si ministre është përkushtuar që ligjet të mos jenë vetëm fjalë, por një “armë e fuqishme kundër dhunës”.
Edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka thënë se tashmë institucionet janë më të përgatitura për t’iu përgjigjur viktimave të dhunës.
“Fatkeqësisht dhuna gjinore mbetet një problem i madh edhe ndonëse janë bërë hapat për avancimin dhe ngritjen e ndërgjegjësimit dhe të gjithë e dinë se kemi shumë punë për të bërë. Institucionet janë më të përgatitura tash për t’iu përgjigjur viktimave të dhunës”, ka thënë Konjufca.