Kupa e Kosovës përsëri në Podujevë, Llapi mbron titullin e kampionit

Përfundoi gjithçka sa i përket finales së Kupës së Kosovës, ku skuadra e Tahir Batatinës sonte u shpall kampione e këtij edicioni.
Pas 90’ minutave lojë të rregullt dhe 11’ minuta shtesë në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra e Llapit shënoi fitore me rezultat të ngushtë 2:1 kundër Dritës.
Fillimisht, ishte Franciso Rivera ai që e zhbllokoi rezultatin i pari, me ç’rast e kaloi Llapin në epërsi prej 1:0 në minutën e 6’ të ndeshjes.
Ndërkaq, golin e barazimit për skuadrën e Ardian Nuhiut e shënoi Hamdi Namani, i cili me kokë shënoi në minutën e 37’ për 1:1.
Llapjanët ishin ata të cilët e nisën më mirë pjesën e dytë, ku edhe e gjetën golin e epërsisë përmes Arbnor Ramadanit, i cili shënoi në minutën e 48’ për rezultatin final të ndeshjes 2:1.
Goli i Ramadanit rezultoi të jetë goli i triumfit të dytë radhazi të Llapit në këtë garë, ku edhe një herë Kupa e Kosovës do të marrë rrugën drejt Llapit.
Në anën tjetër, ëndrrës së Dritës për triumf në këtë garë pas afro dy dekadave tani i erdhi fundi, pasi që Llapi arriti të shpallet kampion i Kupës së Kosovës për edicionin 2021/22.
Rezultati final i ndeshjes është 2:1 në favor të Llapit.

Back to top button