Kurti: Asnjëherë nuk do të konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar që asnjëherë nuk do të konsiderojë asnjë model të autonomisë territoriale.

Kurti ka thënë se për herë të parë që nga fillim i dialogut me Serbinë, normalizimi nuk është pjesë e premtimeve verbale por i atyre me shkrim.

Ai ka thënë se procesi i ri ka sjell një marrëveshje të re për çka Kurti është shprehur i bindur që sjell hapje të re drejt rezultatit përfundimtar.

Për procesin e dialogut, Kurti ka folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Ne e kundërshtojmë me vendosmëri dhe forcë etno-nacionalizimin territorial, nuk e duron republika demokratike dhe është në kundërshtim me vlerat dhe bindjet e qeverisjes sonë progresiste. Siç kërkohet nga obligimet tona, do të fillojmë një proces të gjerë konsultimesh, edhe brenda Kosovës edhe me partnerët tanë, edhe me komunitetin jo shumicë serb, edhe me pakicat e tjera, të cilët janë këtu në Kosovë, në mënyrë që të vazhdojmë të diskutojmë në mënyrë më gjithëpërfshirëse për këtë çështje. Unë kurr, e përsëris, kurr, që do të thotë asnjëherë, askund, nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale”, ka thënë Kurti.

Ndërsa për kishën ortodokse serbe, Kurti ka thënë se nuk ka asgjë të re veçse konfirmim i garancive që tashmë ekzistojnë në sistemin kushtetues e ligjor të Kosovës.

“Ne gjithashtu kemi marrë përsipër të formalizojmë statusin e kishës ortodoske serbe në Kosovë dhe të ofrojmë një nivel të lartë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Ta themi të vërtetën atë që ne të gjithë e dimë, se modelet tona ekzistuese në këtë drejtim i tejkalojnë shumë përvojat evropiane. Megjithatë, statusi nuk është, konsiderohet, i rregulluar dhe unë nuk kam arsye që ta shmang dialogun me krerët e kishës ortodokse serbe për këtë qëllim, nuk do të hyjmë në dialog me qeverinë e Serbisë për këtë temë. Kjo nuk do të përbëjë asgjë të rem, thjesht konfirmim i atyre garancive që tashmë ekzistojnë në sistemin tonë kushtetues e ligjor”, ka ai.

Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian do t’i shtojë angazhimet sipas marrëveshjes dhe aneksit në kushtet për avancimin drejt integrimit të mëtejmë në BE.

“Me të drejtë dikush mund të theksojë faktin që Serbia nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, ata thonë për arsye të brendshme, por kjo nuk i ulë detyrimet ndaj Bashkimit Evropian, pra ne kemi marrëveshje pa çka se ajo nuk është nënshkruar sepse pala tjetër ka refuzuar ta nënshkruaj. Kujtoni se Kosova e ka ofruar nënshkrimin e marrëveshjes bazë tashmë më 27 shkurt në Bruksel, Serbia mundi ose nuk donte ta bënte, ne ende e kemi të hapur ofertën për ta nënshkruar bashkërisht këtë marrëveshje dhe do të vazhdojmë të mbajmë të hapur një ofertë të tillë. Përballë Serbisë e cila nuk donte ta nënshkruante, Bashkimi Evropian gjeti një mënyrë për të regjistruar marrëveshjen përmes një konfirmimi nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, me pëlqimin paraprak të palëve, kjo duhet të përforcohet më tej nga konkluzionet e Këshillit Evropian”, ka thënë ai.

Sipas kryeministri Kurti, në planin afatgjatë Kosova është më mirë me këtë marrëveshje.

“Detyrimet ndërmjet palëve bazohen në parimin e pëlqimit dhe mirëbesimit në të drejtën ndërkombëtare dhe gjithashtu do të bazohen si një mbrojtje shtesë në standardet e Bashkimit Evropian. Në një mënyrë jo konvencionale por Bashkimi Evropian do të duhej të gjejë mekanizmin për ta bërë marrëveshjen plotësisht ligjërisht, ndëkombëtarisht të detyrueshme. Në këtë pikë dëshiroj të diskutoj haptas me ju nëse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në kuvend edhe kur. Siç mund ta keni vënë re, disa nga aleatët tanë, janë aq të shqetësuar për rrugën e gabuar të Serbisë, sa që po i shohin nëpër gishta nganjëherë edhe me një sy apo edhe më shumë mbyllur. Ata nuk do ta kishin toleruar një sjellje të tillë nga asnjë vend tjetër që kërkon anëtarësim dhe ndonjëherë e pyes vetën se kush po mundohet ta tërheq kë më shumë. Nuk na pëlqen aspak kjo dinamikë por pylli nuk duhet të ofrohet për shkak të pemëve”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se shtetet që bashkëpunojnë do të marrin një nxitje në procesin e tyre përkatës të pranimit në Bashkim Evropian.

Ndërsa ka theksuar se mosrespektimi i detyrimeve do të sjell të kundërtën.

“Sinqerisht, aleatët tanë duan ta sjellin Serbinë drejt Evropës, se a do ta arrijnë një gjë të tillë, unë nuk kam shumë shpresë. Procesi i ri ka sjellë një marrëveshje të re dhe jam plotësisht i bindur se sjell një hapje të re drejt rezultatit përfundimtar. Marrëveshja bazë për rrugën e normalizimit të mardhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmban vetëm 11 nene dhe një preambulë dhe aneksi shton 12 pika të tjera. Ja vlente mundimi pasi arritëm diçka të rëndësishme dhe të pakthyeshme, marrëveshja bazë konfirmon se marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës do të zhvillohen në bazë të kartës se Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha të drejtave themelore që karakterizojnë një shtet të konsoliduar ndëkombëtarisht dhe sovran e me integritet territorial. Serbia ka pranuar ta trajtojë Kosovën si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Me marrëveshjen, Serbia është zotuar gjithashtu që të mos kërcënojë me përdorimin e forcës dhe t’u jap fund mosmarrëveshjeve me mjete paqësore. Ajo e ka pranuar këtë megjithëse unë ende nuk do t’i besoja plotësisht Serbisë për këtë”, ka thënë Kurtit.

Kurti: Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në raportimin e tij në kuvend për takimin e Ohrit ka folur rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kurti tha se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Unë personalisht kam kundërshtuar disa nga marrëveshjet në të kaluarën dhe vazhdoj të punoj për një rezultat më të mirë. Ato detyrime nga e kaluara, janë edhe të përfshira implicit në procesin e dialogut sepse janë ngritur gjatë bisedimeve dhe çdo gjë ne do ta konsiderojmë nga prizma e Kushteutës sonë, e Republikës sonë, e ligjshmërisë sonë dhe e vlerave e kartave normative ndërkombëtare, në veçanti evropiane”, tha Kurti.

“Unë kurrë nuk do ta konsiderojë asnjë model të autonomisë territoriale”, theksoi ai.

11:51 – Kurti: Kosova nuk do të rëndohet me kurrfarë shtrese tjetër të autoritetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se që nga fillimi i mandatit të tij është zotuar që ta riformatojë dialogun, në një dialog të barabartë për të dyja vendet.

Ai ka thënë se që prej kur u prezantua plani franko-gjerman, dialogu ka hyrë në një fazë tjetër.

Sipas tij, për herë të parë që prej fillimit të dialogut, normalizimi i marrëdhënieve është me shkrim.

Ka shtuar se aleatët kanë vendosur kornizë me kushte strikte në mënyrë që të lihen prapa dallimet.

Ai ka thënë se nuk mund t’i shmangë detyrimet nga traktatet ndërkombëtare, por ka shtuar se tekst më të mirë të marrëveshjes nuk ka mundur të mbërrihet.

Ka deklaruar se është bërë e qartë se Kosova nuk do të rëndohet me kurrfarë shtrese tjetër të autoritetit dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

11:35 – Kuvendi miratoi tri marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare.

Në seancën parlamnetare, 81 deputetë kanë votua për, nëntë kundër dhe asnjë abstenim për marrëveshjen ndërkombëtare e financimit mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.

Po ashtu, me 88 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim është votuar edhe marrëveshja e kredisë për projektin-korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2 – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Deputetët kanë miratuar edhe marrëveshjen e tretë me 90 vota pro, e cila ka të bëjë me projektin ”Efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

11:30 – Debati për punën dy-vjeçare të qeverisë zhvendoset në seancën e ardhshme

Shqyrtimi i propozim-rezolutës për punën dy-vjeçare të Qeverisë së Kosovës është zhvendosur si pikë e rendit të ditës për seancën e ardhshme. Kjo është bërë me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e cila ishte propozuese e këtij debati.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar që me mocion procedural të vendoset që debati për dy vjet qeverisje të jetë pikë e parë e rendit të ditës në seancën e radhës.

“Ne të hënën kemi pasur një konsultim me kolegët e partive opozitare në kryesi të Kuvendit, duke qenë se ka pasur një zhvillim në Ohër, atëherë kemi kërkuar që ta trajtojmë këtë temë në një raportim të kryeministrit, dhe ne si grup parlamentar kemi vendosë me tërheq debatin në mënyrë që në seancën e radhës ashtu siç jemi marrë vesh me qenë pika e parë e rendit të ditës”, ka thënë Tahiri.

Propozimi i AAK-së ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve.

Ndërsa në seancën e sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të raportojë për takimin e Ohrit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

07:59 – Kurti raporton sot para deputetëve për takimin e Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti raporton sot në Kuvendin e Kosovës për takimin e Ohrit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Në këtë seancë, janë paraparë të shqyrtohen 16 pika të rendit të ditës, ndër të cilat edhe shqyrtimi i propozim-rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës, shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, si dhe dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë.

Kjo seancë pritet të fillojë nga ora 10:00.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës së mëparshme,

2. Votimi i Projektligjit nr.08/L-162 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”,

3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-203 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2 – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-204 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

5. Raportimi i kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti për takimin e Ohrit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

6. Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,

7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

8. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,

9. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

10. Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,

11. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,

12. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,

13. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,

14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,

15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,

16. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

Back to top button