Kurti: Asnjëherë nuk i kemi dëmtuar simbolet e shtetit

Ai tha se nuk keni asnjë rast që VV-ja i ka dëmtuar ato

Kandidati i Vetëvendosjes për Kryeministër, Albin Kurti pas një ligjërate të mbajtur me studentët e një kolegji privat dhe atyre të Universitetit Heidelbergut tha se temë e bisedës ishte shtetndërtimi i Kosovës ku theksi kryesor ishte që shtetndërtimi duhet të bëhet me një zhvillim ekonomik.

“Shtetndërtimi në Kosovë e ka pasur komponentin e funksionimit të shtetit por jo të ekonomisë dhe me Vetëvendosjen do të ketë zhvillim ekonomik”, tha Kurti në një konferencë për media.

Sa i përket asaj që Vetëvendosja nuk njeh simbolet dhe himnin e Kosovës, Kurti tha se kudo që kanë qenë simbolet e Kosovës, Vetëvendosje nuk i ka hequr dhe nuk i ka dëmtuar ato.

“Nuk keni asnjë rast që deputetët e Vetëvendosjes t’i dëmtojë ato”, tha Kurti.

Kandidati për kryeministër tha se qeveria e tij do të orientohet në zhvillimin e ekonomisë, në substancë të shtetit e jo në simbolika.

Duke folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti tha se ato duhet të zhvillohen në një kornizë tjetër.

E për çështjen e demarkacionit, Kurti ritheksoi se për versionin e nënshkruar nga Murat Meha duhet të zhvillohet një hetim, ndërsa tha se si zgjidhje e kësaj çështje është edhe nisja e një dialogu me Podgoricën zyrtare.

I pyetur për koalicionet paszgjedhore, Kurti është shprehur i bindur se Vetëvendosje do të dalë e para në zgjedhjet e 11 qershorit.

Back to top button