Kurti: Beteja e Koshares mund të shihet si panoramë e të gjitha betejave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Betejën e Koshares dhe momentin e thyerjes së kufirit Kosovë – Shqipëri.
Kurti ka thënë se Beteja e Koshares mund të shihet si një panoramë e të gjitha betejave.
“Në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave, te e cila mund të lexohen të përbashkuara karakteristikat e të dyja palëve ndërluftuese. Atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në betejën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, u ndihmua edhe nga ushtarët vëllezër prej Shqipërisë, si dhe e cila me luftën e saj të drejtë për liri, fitoi edhe përkrahjen e vullnetarëve të huaj në këtë rast, por mbi të gjitha, të aleancës së NATO-s, që përshpejtoi çlirimin e plotë të Kosovës. Në anën tjetër, atyre që po luftonin në një betejë të padrejtë dhe për një tokë që s’ishte as nuk mbeti e tyrja, forcave serbe për të cilët, Beteja e Koshares ishte ferri mbi tokë”, tha Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se në këtë Betejë u thye kufiri, që ishte vendosur në vitin 1913, e që i kishte mbajtur të ndarë shqiptarët për afro një shekuj.
Sot janë bërë 24 vjet nga Beteja e Koshares.
Beteja e 9 prillit të vitit 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./21Media