Kurti: Beteja e Koshares përcjell imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se panorama e madhe e historisë së Betejës së Koshares përcjell imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës, derisa shtoi se nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi dhe krijohet shteti.
Në seancën solemne të mbajtur sot në nderim të 25 vjetorit të Betejës së Koshares, Kurti ka deklaruar se në luftimet e kësaj beteje janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.
Kurti tha se gjatë betejës së Koshares, në radhët e Ushtrisë së Serbisë luftonin edhe mercenarë rus, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftonin edhe luftëtarë nga Evropa dhe jo vetëm.
Ai ka shprehur mirënjohje dhe lavdi për të gjithë dëshmorët dhe të plagosurit në betejat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ndryshe në Betejën e Koshares, ranë 114 dëshmorë të Kombit, prej të cilëve ka të dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës.
Në këtë betejë kishin marrë pjesë edhe vullnetarë ndërkombëtar, shtetas të huaj nga: Italia, Franca etj.
Konjufca: Beteja e Koshares ka karakter ndërkombëtar
Kryetari Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se Beteja e Koshares është një betejë me karakter ndërkombëtar, për shkak se kjo betejë ia humbi kontrollin përfundimisht Jugosllavisë mbi kufirin e vendosur dhunshëm në mes të shqiptarëve.
Konjufca në seancën solemne për Betejën e Koshares, tha se themelimi i UÇK-së është një nga ngjarjet me të rëndësishme të kombit shqiptar në 100 vitet e fundit, ndërsë beteja e Koshares eshtë një nga betejat më të lavdishme të luftës tonë për çlirim nga Serbia.
Konjufca theksoi se kjo betejë paraqet operacionin më të madh luftarak të UÇK-së por edhe beteja më e përgjakshme me 114 dëshmorë, qindra të plagosur e me mijëra luftëtarë që ishin në luftë të drejtpërdrejt kundër ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Sipas tij, kjo betejë po ashtu përbën edhe një gjithëpërfshirës të luftëtarëve që merrnin pjesë luftëtarë nga të gjitha trojet.
Osmani: Luftëtarët e UÇK-së realizuan ëndrrën shekullore të shqiptarëve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne në shënimin e 25-vjetorit të Betejës së Koshares ka thënë se Beteja e Koshares ishte pikë kthese për popullin kundër regjimit gjenocidal serb. Ajo ka theksuar se luftëtarët e kësaj beteje dhanë gjithçka për atdheun dhe realizuan ëndrrën shekullore.
“25 vjet më parë qëndruam në një udhëkryq ekzistencial të krijuar nga padrejtësia e tirania e një regjimi gjenocidal. Sot jemi këtu për të nderuar guximin dhe përkushtimin e vajzave e djemve të Kosovës. Kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore e udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova. Ishte më shumë se rezistencë ishte kryengritje civile për lirinë themelore. Filozofia e mbrojtjes së pragut të shtëpisë u shndërrua në nevojë të mbrojtjes së përgjithshme. Në këtë betejë, luftëtarë shembullorë si Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Anton Quni, arritën të realizojnë ëndrrën shekullore thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar… luftëtarët e UÇK-së në Betejën e Koshares dëshmuan shpirtin vetëmohues për t’i dhënë gjithçka atdheut edhe gjënë më sublime të tyre, jetën”, ka thënë presidentja para deputetëve.
Osmani ka shtuar se institucionet vazhdojnë përkushtimin për ta forcuar shtetin.
Seanca për Betejën e Koshares nis me himnin shtetëror e kombëtar
Ka nisur seanca solemne në nderim të Betejës së Koshares. Seanca filloi me himnin shtetëror dhe atë kombëtar dhe një minutë heshtje për të rënët e kësaj beteje.
Ish-komandantë, ish-luftëtarë e familjarë të dëshmorëve janë të ftuar në seancën solemne, në nderim të 25 vjetorit të Betejës së Koshares
Në mesin e të ftuarve janë ish-komandanti Rrustem Berisha, Xhafer Gashari, gruaja e heroit dhe Agim Ramadani, vëllai i heroit Fehmi Lladrovcit, Ramizi e figura të tjera, njofton Klan Kosova.
Në këtë seancë po merr pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kuvendi sot me dy seanca
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të mbajnë dy seanca, atë për shënimin e 25-vjetorit të Betejës së Koshares, si dhe seancën e rregullt ku janë paraparë të shqyrtohen 39 pika të rëndit të ditës.
Seanca për shënimin e 25-vjetorit të Betejës së Koshares, do të nis në orën 10:00. Kurse, seanca plenare në orën 11:00.
Rendi i ditës
1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
2. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024,
3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
12. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,
13. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,
14. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”,
15. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”,
16. Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
17. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
18. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
19. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë,
20. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
21. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
22. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-284 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave,
23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-285 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës,
24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-291 për Gjykatën Administrative,
25. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-279 për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut,
26. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit,
27. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
28. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
29. Shqyrtimi i rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.08/L-021 për tregti me jashtë,
30. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021”,
31. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe konfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”,
32. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2022,33. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
34. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2022,
35. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit të Konkurrencës i Republikës së Kosovës për vitin 2022,
36. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
37. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale,
38. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës,
39. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës.