Kurti bisedoi me të rinjtë nga mërgata për mundësitë e krijimit të urave të bashkëpunimit

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti sot priti në takim një grup studentësh dhe të rinjsh nga mërgata, anëtarë të Albanian Youth Organization Mannheim/Heidelberg (AYO), me të cilët ka biseduar dhe ka shkëmbyer ide për mundësitë se si mund të kontribuojnë në Kosovë.
Në takim, siç bëri të ditur Zyra e Kryeministrit, u diskutua për shërbimet që i ofrojnë mërgatës institucionet e Kosovës dhe për projektet e mundshme në të ardhmen nëpërmjet të cilave do të mund të ndërtoheshin ura bashkëpunimi midis rinisë në Kosovë dhe asaj në mërgatë.
Kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës e vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin e profesionistëve të mërgatës në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, në zbatimin e politikave, si dhe për investime të përbashkëta me ndërmarrjet vendore.
Ai përmendi nismat e qeverisë për një program nacional për transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë dhe thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushat e arsimit dhe inovacionit.
Kryeministri tha se ne po e ndryshojnë qeverisjen për të mirë, por mund të duhet pak më shumë kohë që ‘brain-drain’ të fillojë të ndryshojë kursin për mirë dhe përfundimisht të bëhet një kthesë e fortë e ‘brain-gain’. “Të kesh njerëzit dhe profesionistët e duhur në vendet e duhura është thelbësore, prandaj ne jemi shumë të interesuar si qeveri për të tërhequr profesionistë të talentuar, brenda apo jashtë vendit”, theksoi ai.
Të rinjtë nga mërgata e njoftuan kryeministrin për aktivitetet e shoqatës. Ata thanë se AYO është organizatë gjithpërfshirëse që nuk rrjetëzon vetëm individët, por edhe organizatat studentore. Shoqata bashkëpunon dhe mban kontakte me përfaqësues nga organizatat studentore të Stuttgartit, Duisburg-Essenit, Düsseldorfit, Zvicrës dhe Londrës./21Media

Back to top button