Kurti bisedon me Marta Kosin për ecurinë e Kosovës drejt integrimit në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike të hënën me komisioneren për zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, është thënë se u diskutua për zgjerimin dhe ecurinë e reformave të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos. Në këtë bisedë u diskutua për zgjerimin dhe ecurinë e reformave të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Kurti theksoi se ndër vendimet e para të Kuvendit të Republikës së Kosovës, krahas miratimit të buxhetit të ri në vlerë prej 4 miliardë euro, ishte edhe miratimi i Planit të Rritjes në vlerë prej 882.6 milionë euro, i cili synon përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Pas miratimit të Planit të Rritjes, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraparë një sërë hapash për zbatim, të ndërlidhur ngushtë me kalimin e ligjeve në Kuvend, që kapin vlerën rreth 90 milionë euro”, u tha nga Zyra e Kryeministrit. “Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet kyç i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministri nënvizoi rëndësinë e marrjes së statusit kandidat si hap të rëndësishëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Po ashtu u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon.
“Kosova është e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i është bashkuar të gjitha pakove të sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Zyra e Kryeministrit.