Kurti debaton me Shalën rreth marrëveshjes për energjinë
Sot në Kuvendin e Kosovës pati replika e kundër replika mes Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputetit të PDK-së, Ferat Shala.
Kurti tha se zbatimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes së energjisë në veri, po ndalet gjakderdhja financiare në veri.
“Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk kemi dashur, po e bëjmë më të mirën me krejt çka dimë dhe mundemi me atë çka kemi trashëguar. Pra, pas 20 viteve po e ndalim një gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit dhe përfundojmë një problematik në sektorin e energjisë…. A janë të mira marrëveshjet në Bruksel të vitit 2013-2015, nuk janë të mira, njësojë siç kam thënë që marrëveshja e vitit 2013 nuk është mirë në vitin 2013, njëjësoj sikur marrëveshja e vitit 2015 nuk është e mirë në vitin 2015, e them edhe sot. Ato nuk ishin marrëveshje të mira, ato i trashëguam dhe gjetëm. Unë kur u bëra kryeministër i Kosovës i gjeta 38 komuna, po të pyetsha unë nuk do të ishin 38 komuna. Kur u bëra kryeministër e gjeta KEDS-in dhe KESCO, po të isha më herët nuk do të kishte KEDS dhe KECO, monopoli publik u bë, monopol privat dhe unë tash duhet të komunikoj dhe bashkëpunoj me ta. Pra ka një mori gjërash që nuk i bëj me vullnet dhe dëshirë, por nga nevoja dhe përgjegjësia. Gjendja në teren është shumë me e keqe se ato marrëveshje të vitit 2013-2015, pra përveç që nuk kanë qenë të mira, gjendja në teren është më keq se ato marrëveshje. Ne kemi vendos afate kohore sepse i kanë ditët si njësi, jo javët muajt, ose vitet. Unë kërkoj bashkëpunimin e të gjithëve se sa më shpejt gjithçka të funksionojë”, tha ai.
Mirëpo tha se asgjë nuk ka përfunduar me ujdinë e djeshme, por në bashkëpunim me BE-në dhe ekspertët do të bëhet furnizimi i qëndrueshëm në veri.
“Askush nuk thotë se gjithçka ka përfunduar me tekstin e djeshëm të udhërrëfyesit, mirëpo besoj se me bashkëpunimin që e kemi me BE-në, ekspertët tanë që kanë analizuar në hollësi në gjithçka, do të mund të bëjmë furnizimin e qëndrueshëm. Njëkohësisht faturimin dhe inkasimin në veri të Kosovës në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës të jenë të barabartë. Krejt në fund, ajo që bëj unë në qeverisje mund të përshkruhej kësisoj. E bëjë minimumin e pranimit të realitetit të maksimumin e ndryshimit të realitetit. S’kam mundësi të tjera më shumë se kaq”, shtoi ai.
Në anën tjetër deputeti i PDK-së, Ferat Shala adresoi akuza ndaj Kurtit, duke thënë se ai ka shkrumbuar dhe djegur institucione në kundërshtim të atyre marrëveshjeve.
“Qytetarëve të Kosovës ju i keni premtuar ndryshim të marrëveshjeve, kemi premtuar reformë dhe të kundërtën e asaj që keni gjetur. Mbi këtë bazë dhe propagandë keni djegur dhe shkrumbuar shumë institucione të vendit”, tha ai.
Deputetit opozitar iu kundërpërgjigj sërish kryeministri Kurti, duke e pyetur se për çfarë shkrumbimi dhe djegie të institucioneve e ka fjalën.
“E keqja buron prej juve, së pari kërkoni falje për privatizimin e distributorit dhe furnizimit. Kur të kërkoni falje për atë, ne mund të diskutojmë. Mirëpo fjalët dhe shprehjet se keni djegur dhe shkrumbuar institucione, për çfarë shkrumbimi të institucioneve po flisni. Pra si mund të t’ju besoj juve se flisni”, theksoi ai.