Kurti dhe eurodeputeti Waitz bisedojnë për mbrojtjen e ambientit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim deputetin e Parlamentit Evropian nga Partia e Gjelbër e Austrisë, njëherësh bashkë-kryesues i Partisë së Gjelbër Evropiane, Thomas Waitz, me të cilin biseduan për mbrojtjen e ambientit, bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Sipas një komunikate për media, Kurti dhe Waitz diskutuan për mbrojtjen e pyjeve dhe agjendën e gjelbër të Kosovës dhe ndihmën që Bashkimi Evropian mund të ofrojë në këtë drejtim
Po ashtu në komunikatë thuhet se eurodeputeti Waitz u interesua për çështjen e hidrocentraleve dhe qëndrimin e qeverisë për hidrocentralet e vogla, mbrojtjen e lumenjve dhe sigurimin e ujit për pije dhe ujitje.
U bisedua për zhvillimin e sektorit të bujqësisë nëpërmjet përkrahjes së fermave, transformimit të zonave rurale në vende tërheqëse për punë dhe jetesë, si dhe për ndërtimin e sistemeve ushqimore të qëndrueshme./21Media