Kurti dhe Konjufca nesër në Prokurori

Ftohen për të dëshmuar në rastin kundër Thaçit e Veselit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe nënkryetari Glauk Konjufca, në prill të këtij viti dorëzuan një kallëzim penal ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, për dëshmitë e tyre të dhëna në një seancë gjykimi ndaj organizatës ‘Syri i Popullit’.

Kallëzimi penal erdhi pasi që Kurti e Konjufca pretendojnë se Thaçi e Veseli, gjatë dëshmisë së tyre para gjykatës, kanë bërë “deklarime të rrejshme nën betim”.

Vetëvendosje ka bërë të ditur se kanë pranuar ftesa nga Prokuroria Themelore, që Kurti dhe Konjufca të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve lidhur me ketë rast.

Më në fund një lajm i mirë, pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast, dhe kanë ardhur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori nesër e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që e kemi ngritur”, thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti e Konjufca pritet që dëshminë e tyre para Prokurorisë ta japin më 18 dhjetor 2019.

Kujtojmë se më 28 dhjetor 2018, Thaçi në dëshminë e tij në gjykatë kishte thënë se Kurti e Konjufca qëndrojnë para organizatës e cila akuzohet se e plagosi avokatin kosovar, Azem Vllasi.

Ndërsa Veseli e kishte quajtur organizatën ‘Syri i Popullit’ si ‘krah i armatosur i Vetëvendosjes’./21Media

Back to top button