Kurti dhe kryeparlamentari estonez flasin për ndikimin destabilizues të Rusisë në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës zyrtare në Estoni, është pritur në takim nga kryetari i Parlamentit Republikës së Estonisë, Juri Ratas.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyeshme, u diskutua për çështje të rëndësishme për sigurinë e përbashkët, si dhe për fushat e bashkëpunimit që forcojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e Estonisë në rrugën e integrimeve euroatlantike të vendit tonë, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.

Ai theksoi reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së deritanishme, progresin e arritur në ekonomi dhe përmirësimet në indikatorët demokratik në vend.

“U bisedua për rëndësinë e solidaritetit me shtetin edhe popullin ukrainas, si dhe u theksuan pasojat nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Po ashtu, u fol edhe për ndikimin destabilizues të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe rrezikun që paraqet për sigurinë kolektive të Evropës dhe vlerat e lirisë dhe demokracisë”, thuhet në komunikatë.

Në Parlamentin e Republikës së Estonisë, Riigikogu, kryeministri Kurti po ashtu u prit në takim nga kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, Andres Sutt.

Pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës, që po shoqërojnë kryeministrin Kurti në këtë vizitë zyrtare, janë edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorja jo rezidente e Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu./21Media

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button