Kurti dhe Rizvanolli bashkëbiseduan me ekspertë e studiues të fushës së energjisë nga mërgata

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli mbajtën takim virtual me një grup studiuesish nga mërgata të punësuar si hulumtues dhe profesorë në universitete e kompani evropiane në fushën e energjisë.
Siç informoi Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Rizavnolli biseduan me Alban Kuriqin nga Universiteti i Lisbonës në Portugali, me ekspertizë në energjinë e ripërtërishme; Fitim Kryeziun nga “Energinet”, operatori kombëtar në Danimarkë për transmetimin e energjisë elektrike dhe gazit natyror; Erald Pjetrin nga Qendra Kërkimore ABB në Poloni; Kristian Sevdari, kandidat për doktoraturë në Universitetin Teknik të Danimarkës dhe Adhurim Haxhi Musa nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Grizons në Zvicër.
Në takim u diskutua për situatën aktuale të energjisë dhe për Strategjinë për Energji 2022-2030 që do të shërbejë si udhërrëfyes për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme të energjisë.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli , siç u bë e ditur, i falënderuan për shprehjen e gatishmërisë që të ndihmojnë dhe kontribuojnë me ekspertizën e tyre të vlefshme në tejkalimin e sfidave dhe drejt vizionit të vendit për fushën e energjisë.
Ky bashkëbisedim u mbajt si rrjedhojë e gjendjes së vështirë energjetike në vend.
Ndryshe, Qeveria sonte ndau 10 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike./21Media

Back to top button