Kurti: Dialog social para vendimit për rritjen e pagës minimale

Sipas Kurtit paga minimale duhet të përcaktohet me numrin e orëve të punës

Kryetari i Vetëvendosjes, njëherësh kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka kërkuar që paga minimale në Kosovë të përcaktohet me numrin e orëve të punës dhe të ngritët varësisht nga paga mesatare në sektorin privat.

Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit, në një tryezë që ka organizuar me përfaqësues të sindikatave në Kosovë, theksoi se si qeveri e ardhshme do të fillojnë një dialog social para marrjes së ndonjë vendimi për rritje të pagës minimale.

“Punëtorët janë më të fortë, kur sindikatat janë më të organizuara”, tha Kurti.

I pari i VV-së u shpreh se do të formojnë një gjykatë për punëdhënësit dhe punëmarrësit, duke shtuar se progresi shoqëror matet me jetesën që e bëjnë qytetarët.

Përfaqësues të shumë sindikatave ishin pjesë  në këtë tryezë shprehën qëndrimet e tyre për fuqizimin e organizimit sindikal dhe problemet e tyre.

Paga minimale në Kosovë është 130 euro dhe 170 euro, varësisht nga mosha e punëtorit.

Back to top button