Kurti diskuton me donatorët për strehimin e përhershëm të 60 familjeve të komuniteteve joshumicë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë të martën nikoqir i konferencës së donatorëve për strehimin të qëndrueshëm familjeve të komuniteteve joshumicë të kthyera në Kosovë.

Ai tha se qëllimi i konferencës është që bashkë me parterë ndërkombëtarë të punohet drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për 60 familje të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian të kthyera nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Kurti si opsion për gjetjen e një strehimi për këto familje i përmendi Komunën e Gjilanit dhe atë të Ferizajt.

Ai tha se strehimi i familjeve më të cenueshme në Kosovë është prioritet i tij, derisa shtoi angazhimin e ekzekutivit gjatë këtij mandati për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive të komuniteteve jo shumicë.

“Strehimi i familjeve më të cenueshme në shoqërinë tonë është prioritet i qeverisë sonë. Këtë vit kemi nda financim për më shumë se 380 familje nga komunitetet joshumicë që do të përfitojnë nga banimi i përmirësuar. Këtu përfshihen familjet që kanë marrë materiale ndërtimore si dhe financim për shtëpi të reja nga Ministria për Komunitete dhe Kthim. Familjet nga komunitetet joshumicë kanë marrë financim edhe nga MAPL-ja për rinovimin apo ndërtimin e shtëpive, kur kam vizituar këto projekte ndërtimore dhe familjet të cilat po përfitojnë kam parë se si investimi po ka ndikim jo vetëm në situatën e tyre materiale, por edhe në ndjenjën dhe shpresën për t’i kontribuar komunitetit dhe vendit”, tha ai.

Iniciativën e tillë e mirëpriti, ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, i cili theksoi ambiciet e tij për një projekt të ri që quhet “Kthimi Urban”. Ai tha se përmes tij do të sigurohet një strehim më i qëndrueshëm për të gjitha familjet e komuniteteve joshumicë të kthyera në Kosovë.

Në anën tjetër, megjithëse e quajti të nevojshme këtë konferencë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kërkoi që në gjetjen e vendbanimit për këto 60 familje të mos përsëritet rasti i fshatit Plemetin në Obiliq.

Ai tha se lokacioni në Gjilan dhe Ferizaj nuk duhet të jetë ndërtim vetëm për familjet e komuniteteve jo shumicë, por edhe për familjet shqiptare që kanë nevojë në mënyrë që të bëhen bashkë të gjitha komunitetet.

Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se integrimi i komuniteteve joshumicë është një proces sfidues, megjithatë duhet të ketë përkrahje qeveritare për t’u siguruar se të njëjtin e kanë përkrahjen në strehim, kujdes shëndetësor dhe arsimim.

Përkushtimin për realizimin e këtij projekti e potencuan edhe zyrtarët komunalë nga Ferizaj dhe Gjilan.

Back to top button