Kurti: Do të ndajmë mjetet nevojshme për RTK-në nga kategoria e kursimeve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se në mbledhjen e sotme do të ndahen mjetet e nevojshme nga kategoria e kursimeve për Radio Televizionin e Kosovës.
Sipas tij, ky është improvizim i detyruar pas përpjekjeve në kuvend për miratimin të buxhetit të RTK-së.
“Që në muajin gusht ne e bëmë një zgjidhje të përkohshme, duke dhënë over-draftin për Radio Televizionin e Kosovës me shpresën që pas konstituimit të kuvendit dhe themelimit të komisioneve parlamentare, të arrihet zgjidhja e duhur për të cilën kishim përgjegjësi të gjitha partitë politike parlamentare. Ne nuk i kishim votat e mjaftueshme pasi që partitë tjera refuzuan kategorikisht pagat për RTK-në. Siç edhe e ka paralajmëruar ministri Hekuran Murati këtë të hënë në konferencën e tij për media, kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalur nga kjo situatë. Në këtë mbledhje, mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve. Pra kjo zgjidhje e sotshme, apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse një improvizim i detyruar, pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për ta miratuar aty buxhetin për Radio Televizionin e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Kabineti qeveritar po mban mbledhjen, ku në rend dite janë 14 pika.