Kurti e njoftoi Von Cramonin për vendimet e Qeverisë karshi Rusisë

Kryeministri Albin Kurti sot zhvilloi takim pune me Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e shoqëruar nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, me ç’rast diskutuan për situatën në Ukrainë pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse atje.
Siç informoi Zyra e Kryeministrit, Kurti e njoftoi Von Cramonin për veprimet dhe vendimet e Qeverisë karshi Rusisë dhe në mbështetje të Ukrainës, të cilat në njërën anë përfshijnë sanksionet kundër Rusisë në përputhje me ato të BE-së dhe ShBA-së dhe në anën tjetër vendimin për të pranuar 20 gazetarë ukrainas.
“Rreshtimi i qartë dhe i menjëhershëm me botën demokratike dhe kundër një pushteti despotik, është tregues i qartë i vlerave demokratike dhe orientimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Kurti.
“Çështje tjera që u folën gjatë takimit përfshijnë reformat në drejtësi, luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndryshimet legjislative, sigurinë dhe energjinë. Kryeministri Kurti e falënderoi Raportuesen për Kosovë për vizitën dhe për rolin e saj aktiv, mbështetës dhe avokues për Republikën e Kosovës në kuadër të perspektivës evropiane të shtetit tonë.”, u bë e ditur në komunikatë./21Media

Back to top button