Kurti e përfaqëson Kosovën me fusnotë në takimin e Stabilizim-Asociimit

Në takimin e mbajtur në kuadër të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ku është pjesë kryeministri Albin Kurti, ky i fundit ka përfaqësuar Kosovën me fusnotë.
Për fusnotën, në webfaqen e Këshillit të BE-së, thuhet se “ky përcaktim është pa paragjykim për qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.
Në lidhje me këtë Zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka në një postim në Facebook ka thënë se qeveria aktuale po bën përpjekje për të dalë nga logjika e fusnotës.
Ai tutje ka shtuar se pasojat që i kanë lënë Kurtit nuk janë përgjegjësi e tij.
“Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! që ishte kundër kësaj marrëveshje dhe se koha e dëshmoi se ajo nuk është fluskë bore duan t’ja hedhin koston vetëm pse e kemi kundërshtuar, pra nuk e shikojnë fusnotën në raport me Republikën, por vec në raport me VV-në.
Pasojat që i kanë lënë Kurtit nuk janë përgjegjësi e tij, përkundrazi qeveria aktuale po bën përpjekje për të dalë nga logjika e fusnotës.
Po të ishte VV që nga ajo kohë në pushtet nuk do të kishte as fusnotë e as marrëveshje që flasin për rregullim të brendshëm. Duhet parë cka thoshte ky portal e të tjerë në protestën tonë që kishim ndaj kësaj marrëveshje”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Marrëveshja për fusnotën, ishte arritur më 24 shkurt të vitit 2012 në Bruksel në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në forumet dhe nismat rajonale, do të vazhdojë derisa vendi të mos njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, vlerësojnë ish-zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve politike.
Fusnota, i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar./21Media

Back to top button