Kurti e Rizvanolli shkojnë te “KRU Prishtina” dhe “Ibër-Lepenci”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, vizitoi dje Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “KRU Prishtina” dhe Ndërmarrjen Publike “Ibër-Lepencit”.
Në kumtesën për media bëhet e ditur se vizitën e filloi në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “KRU Prishtina”, ku u njoh nga afër me angazhimet dhe arritjet e ndërmarrjes, përfshirë zhvillimet infrastrukturore në rrjetin e ujësjellësit, ngritjen e dukshme në qeverisjen korporative, përmirësimin e kushteve të punës, zgjerimin e përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe performancën financiare në rritje.
Tutje theksohet se u veçua zbatimi i projektit 238 milionë eurosh për kolektorin dhe impiantin e ujërave të ndotura për Prishtinën, Graçanicën, Fushë-Kosovën dhe Obiliqin, që do të realizohet me hua e grante nga KfË gjermane, qeveria e Francës dhe qeveria e Kosovës, investimet për ndërtimin e rrjetit në Fushë-Kosovë, Shtime, Graçanicë e Podujevë në dy vjetët e fundit dhe përgatitjet për impiante të ujërave të ndotura në Podujevë dhe qytete të tjera.
Më pas, Kurti vizitoi ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, ku vlerësoi arritjet e saj dhe nënvizoi rëndësinë që ka kjo ndërmarrje për zhvillimin e vendit.
“Përveç zhvillimit të projekteve të mëdha infrastrukturore dhe sigurimin e furnizimit me ujë të mbi 600 mijë banorëve, Ibër-Lepenci bashkë me përkrahjen e Qeverisë ka siguruar ujitjen e tokave tona bujqësore me rregull. Gjatë takimit u diskutua për mbarëvajtjen e projektit të rehabilitimit të kanalit, si dhe performancën pozitive financiare e operative”, thuhet më tej në kumtesë.
Në të dy takimet, kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës dhe falënderoi menaxhmentin dhe punëtorët për përkushtimin dhe punën për të mënjanuar dhe tejkaluar dëmet e shkaktuara nga sulmi terrorist i 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në kanalin e Ibër-Lepencit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?