Kurti e takoi senatorin Murphy, diskutuan për çështje që synojnë avancimin e marrëdhënieve

Kryeministri Albin Kurti, sot, në ditën e dytë të qëndrimit në Washington D.C., është takuar me senatorin Chris Murphy, me të cilin kanë diskutuar për tema dhe çështje që kremtojnë, por edhe synojnë avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të veçanta ndërmjet vendeve.
Siç ka informuar Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka njoftuar senatorin Murphy për vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e sanksioneve shtesë dhe në përputhje me paketën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse.
“Duke folur për vizitën e tij atje, kryeministri Kurti foli edhe për takimet me investitorë potencialë, me theks te ata të fushës së Teknologjisë së Informacionit.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ndërsa, senatori i ka uruar Kurtit mirëseardhje në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka thënë se vizita e tij dhe takimet e shumta janë rikujtim i marrëdhënieve të pathyeshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Ai, gjithashtu e ka njoftuar kryeministrin se reputacioni i Kosovës në sektorin e teknologjisë së informacionit është në rritje e sipër dhe ka cituar interesimin e kompanive të këtij sektori për të investuar në Kosovë.
Kryeministri Kurti e kishte pritur senatorin Murphy në Kosovë në prill të këtij viti./21Media

Back to top button