Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Të intensifikohet dialogu për zbatim të marrëveshjeve

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, Kurti ka thënë se Kosova i qëndron pas politikave dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Por rruga për shtensionim në veri, sipas tij, duhet të nisë me largimin e bandave kriminale nga atje.

“Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është aleat i pakompromis. Rruga përpara për deskalim të situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të marrëveshjes bazike”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Këta [kryetarët e tanishëm] kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota. Serbët duhet të dalin në zgjedhje, dhe jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”, ka deklaruar ai.

Kurti ka përsëritur edhe një herë që objektet komunale janë ndërtesa që i përkasin Republikës së Kosovës dhe jo të një etnie.

“Në Mitrovicë, Atiq po e konsolidon kabinetin e tij. Drejtorët nuk i ka vetëm shqiptarë. Edhe Hetemi e ka një nënkryetare serbe, ashtu si në Zveçan. Unë e kam ministër Nenad Rashiqin dhe kam bashkëpunim të mirë. Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë që në komunat veriore të ketë vetëm kryetar serb dhe të hyhet në objektet komunale vetëm kryetari serb. Ndërtesa është e Republikës. Nuk ka asnjë ndërtesë publike në Republikën e Kosovës ku mund të hyjë vetëm një etni. Ashtu i bie që ndërtesat të jenë segragacion, aparteid. E kemi përjetuar në shekullin e kaluar, nuk duam ta përjetojmë në këtë shekull. Jo për inat të ndokujt, por për hir të Republikës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se dhuna në veri zgjati për dy ditë e gjysmë. Sipas tij, dhuna në komunat veriore zgjat për aq sa janë urdhrat e Beogradit.

“Ditë të qeta janë ato ditë ku nuk ka urdhër për dhunë nga Beogradi. Kjo tregon shumë qartë raportin shkak-pasojë”, ka shtuar ai.

Kurti ka lavdëruar për punë profesionale Policinë e Kosovës.


Kurti: E thirra Lulzim Hetemin në telefon, ai ishte i shqetësuar mos po lëshoj pe unë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se serbët braktisën institucionet për ta kolapsuar sistemin shtetëror, por kjo sipas tij nuk ndodhi.

Ai teksa foli për situatën në veri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje tregoi se kishte biseduar me telefon me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin i cili tash e sa javë po qëndron në objektin e Komunës.

E thirra në telefon dhe bisedova me krytarin Lulzim Hetemin dhe ndodhi diçka interesante se për të thënë të drejtën kur e thirra kisha një çik brenge se mos është mërzitur aty në zyrë, u bënë shumë javë. Por, unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, ai i shqetësuar mos po lëshoj pe unë”, tha Kurti.

Ai tutje tha se Kosova asnjëherë as nuk synon, as nuk e ka në tekstet themeltare diskriminimin e dikujt, duke theksuar se komuniteti serb ka të drejta të zgjeruarar./21Media

Back to top button