Kurti: Ekonomia shënoi rritje mesatare prej 10.4% në pjesën e parë të 2021-tës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot takim virtual me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, prirë nga Shefi i Misionit për Kosovë, Gabriel Di Bella.
Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi dhe ministrin, Hekuran Murati, Kryeministri i falënderoi për mbështetjen që FMN-ja i ka dhënë Republikës së Kosovës deri më sot.
Përmes një komunikate bëhet e ditur se, Kurti gjatë bisedës ka thënë se ”ndonëse pandemia ka sjellë tendosje të konsiderueshme duke qenë se po i afrohemi vitit të dytë të pandemisë, performanca e jashtëzakonshme e ekonomisë sonë me një rritje mesatare prej 10.4% në pjesën e parë të 2021, na bën optimistë se kjo do të jetë trajektorja e zhvillimit të vendit edhe për vitet në vijim. Kjo performancë ka ndikuar edhe në të hyra buxhetore, të cilat na kanë mundësuar zbatimin e pikave të programit qeverisës më herët se që kishim planifikuar, gjë që mund të vërehet edhe me buxhetin e vitit 2022, që u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë”.
Nga ana tjetër, Di Bella e ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për suksesin në vaksinimin e popullatës, duke e bërë vendin lider në rajon, përkundër faktit që kishte një start të vonshëm në këtë proces. Ai gjithashtu ka folur mbi performancën e mirë ekonomike dhe buxhetore, që ishte përtej parashikimeve fillestare. Në lidhje me këtë ishte shprehur që, Kosova përbënte një rast unik në botë, ku diaspora kishte një ardhje kaq të lartë në atdhe, pas lirimit të masave.
Në takim u diskutua edhe në lidhje me masat e suksesshme për formalizimin e ekonomisë të ndërmarra nga Qeveria, e që kanë rezultuar me më shumë të hyra buxhetore. Po ashtu, u diskutua edhe për inflacionin, që është fenomen i shfaqur muajve të fundit në nivel global dhe masat, që qeveria jonë dhe qeveri të ndryshme nëpër botë po ndërmarrin që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve./21Media

Back to top button