Kurti fton publikun ta shikojnë filmin “ERA” të Parta Kelmendit: Ngjan më i vërtetë se dokumentarët

Kryeministri në detyre Albin Kurti pas shfaqjes premierës së filmit “ERA”, të Parta Kelmendit ku edhe ishte i pranishëm dha përshtypjet e tij për filmin.

Kurti tha se “ERA” ndonëse është film artistik ngjan më i vërtete se një film dokumentar.

“Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, në vendin tonë u instalua apartheidi i Serbisë, dhe nisën përjashtimet e shqiptarëve nga puna, shkollat e spitalet, si dhe emigrimi masiv i detyruar i tyre.

Përmes syve të Era Gashit (me aktrim brilant të Zana Berishës) si dhe me shikimin tonë mbi të, filmi na sjell diskriminimin e egër të atyre viteve që i paraprinë si gjenocidit serb ashtu edhe luftës sonë çlirimtare. Nëpërmjet ankthit e fatit familjar e individual, shpalosen bukur dy lloje të guximit: për t’u larguar nga familja dhe për të qëndruar në Kosovë. Fjalia “Kjo është mbijetesë, Shpresë.” e përmbledh ndoshta në mënyrën më të ndjerë thelbin e filmit.”, shkroi Kurti  në Facebook.

Më tej ai u bëri ftesë publikut kosovar që ta shohin filmin, i cili do të vazhdojë rrugëtimin ndërkombëtar

“Mbrëmë, në Cineplexx AlbiMall, këto ndjesi u përjetuan fuqishëm nga aktorët, profesionistët e filmit dhe dashamirësit e kinemasë. Filmi “Era” na e përkujton se edhe para luftës nuk kishim paqe, se paralufta nuk ka më pak ndikim në formësimin tonë kolektiv sesa vetë lufta.

Pas suksesit në Brooklyn Film Festival dhe çmimit për Aktoren më të Mirë për Zana Berishën, “Era” vazhdon rrugëtimin e saj ndërkombëtar. E ftoj publikun tonë që ta shohë këtë film në kinematë në mbarë Kosovën ku do të shfaqet: sonte dhe çdo natë në Prishtinë si dhe premiera në Prizren.

Urime regjisores e skenaristes Parta Kelmendi, Zana Berishës e gjithë ansamblit të aktorëve si dhe ekipit të filmit për këtë arritje të rëndësishme artistike e cila i jep frymë të re kinemasë sonë.”, përfundoi Kurti.

“Era” u shfaq mbrëmë (15 tetor) premierë në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë./21Media

Back to top button